Shkarkimi i Allkjas nga QSUT, Brataj: Mjek-politikan që publikon kartelën e pacientit dhe ibuprofenin e quan kortizon

Shefi i Urgjencës Skënder Brataj ka reaguar pas akuzave të PD dhe mjekut të Urgjecës në QSUT i cili ka thënë se është hequr nga puna pasi denoncoi mungesën e uniformave që sipas tij u bënë shkak që ai të infektohej me koronavirus.

Brataj bën një status të gjatë ku kritikon edhe bërjen publike të numrit të skedës të pacientit, që konsiderohet shkelje. Gjithashtu një sqarim për përdorimin e ibuprofenit dhe kortizonit, lajmi që qarkulloi dje, pas publikimit nga ministri francez i shëndetit.

Shkarkimi i Allkjas nga QSUT, Brataj: mjek- politikan që publikon

Postimi i plotë: 

Të nderuar qytetarë shqiptarë, në këto ditë të vështira për shëndetin tuaj, në këto ditë të vështira për mjekësinë mbarëbotërore, në këto ditë nevoje për bashkëpunim të gjithanshëm, dua të shpreh një indinjatë të thellë, një keqardhje të madhe, për një vlerësim sipërfaqësor nga ana e personelit mjekësor, që përhap panik duke thënë se nuk ka uniforma.

Këta mjekë të cilët i janë dedikuar politikës dhe jo mjekësisë, e dinë shumë mirë se ka uniforma në dispozicion për çdo rast që do të paraqitet me COVID-19 të konfirmuar.

Ti mjek që ke kohë t’i bësh video pacientit, por nuk ke kohë ta ndihmosh atë;
ti mjek që lë pacientin të vuajë siç duket nga videoja juaj, pse e lë ta shoqërojnë familjarët?
Pse e dërgove këtë paciente te urgjenca polivalente e QSUT nëse ishte me koronavirus?
Pse ua dërgove politikanëve (mjekë) videon dhe kartelën klinike të pacientes?
Ishe i paaftë të vlerësoje pacienten në banesë, nëse ishte me koronavirus?
Mendoj se jo, sepse ju e vlerësuat atë dhe nuk e dërguat tek Shërbimi Infektiv. Pra, nuk ishte koronavirus. Atëherë nëse je i aftë, pse mashtron opinionin publik kur thua se shkove pa uniformë te pacienti me koronavirus, në një kohë që e dije se nuk ishte koronavirus?

Te skeda juaj, duket qartë se keni shkruar: Pacienti është shtruar te Infektivi, gjë e cila nuk është e vërtetë. Pse e keni çuar pacientin te urgjenca polivalente atëherë?
Ju deklaruat se jeni në karantinë, ju pa e gjithë Shqipëria në videon tuaj të famshme. Atëherë pse dilni nga karantina dhe shkoni në “shërbim”? A e dini se qytetarët marrin në telefon dhe thonë: “Mos na dërgoni mjekun e infektuar”?
Një keqardhje më të madhe shpreh për politikanët e të gjitha ngjyrave që në këtë moment, “marrin shkopin magjik” dhe tregojnë se dinë t’i zgjidhin problemet e mjekësisë shqiptare, mjafton të ndjekësh këshillat e tyre dhe ky shqetësim kalon menjëherë!

Bujrum zotërinj, kush është kaq i zoti sa të zgjidhë këtë problem me një këshillë apo “shkop magjik”, le të vijë një orë e më parë!
Akoma më e tmerrshme, është kur një politikan me diplomë mjeku që ka tridhjetë vjet që nuk ka vizituar më një pacient, kërkon të japë leksione dhe këshilla mjekësore.
Një mjek që IBUPROFENIN e quan KORTIZON, apo nuk di të interpretojë atë që ka shkruar ministri francez (mjek), po na jep leksione se dikush i ka thënë që një drejtues i urgjencës (Unë), paskam thënë të vetëmjekohen qytetarët! Zotëri, herë tjetër të mos bëni këtë gabim, dëgjojeni mesazhin te faqja e QKUM-së, aty e keni. Por po ja u sjell edhe njëherë në vëmendje”

Drejtuesi ka thënë:
“Paracetamol 500-1000 mg në bazë të peshës dhe nëse temperatura nuk kontrollohet për dy ditë, të përdoret Ibrufeni 400-600 mg deri në tre ditë, çdo 8-12 orë pas ngrënies, duke u këshilluar me Mjekun e familjes dhe Pediatrin për fëmijët”.
Ibrufenin asnjë shtet nuk e ka hequr nga protokollet dhe dy raste të publikuara në gazeta, nuk janë studime shkencore të provuara.
Është e tmerrshme që qytetari dixhital të mbajë tetë minuta në telefon të zënë një linjë telefonike dhe të mbajë peng një mjek, sepse dëshiron të ketë një tampon në banesë. Qëllimi i vetëm i telefonatës ishte për të thënë se kjo nuk është Urgjenca, duke harruar se gjendemi në kushtet e një Pandemie botërore, në kushtet e një numri shumë të lartë thirrjesh për ndihmë mjekësore!

Ti mjek politikan që publikon kartelën e pacientit dhe videon që të solli mjeku i mësipërm, a e di që me numrin unik të skedës, e bën pacientin lehtësisht të identifikueshëm? Pse e publikoni në faqen tuaj për përfitime personale? A e dini se keni shkelur etikën dhe deontologjinë si mjek? A e dini se çfarë janë të dhënat sensitive të pacientit, që ju publikoni pa të keq?
Kjo nuk është politikë, ky është një sulm ndaj shëndetit tuaj të nderuar qytetarë shqiptarë, ky është një tjetër KORONAVIRUS kundër jush. Më vjen turp për këta njerëz të ngushtë, që shikojnë interesin personal në këtë moment të vështirë dhe kërkojnë të përfitojnë nga situata e krijuar.
Ktheni çdo përgjigje, kthejeni atë si të doni, shkoni deri te kushëriri im i 14, analizoni që nga 17 shkurti i 1963 kur kam lindur, nuk më intereson se çfarë do të shkruani, nuk kam kohë t’ju përgjigjem më juve. U përgjigjem vetëm qytetarëve shqiptarë.

Nuk kam kohë t’u përgjigjem shpifjeje që po bëni në drejtim të këtij shërbimi të domosdoshëm, jetik për qytetarët. Por po ju sqaroj një gjë shumë të rëndësishme, që ndoshta nuk e keni kuptuar ende:
Kemi deklaruar gjithmonë që për një orë nuk mund të shkoni asgjëkundi, veç në duart e urgjencës.
Nga SOT JU KUROJNË PËR DY JAVË, VETËM MJEKËT SHQIPTARË!!!

Dr. Skënder Brataj

Back to top button
LAJMET E FUNDIT