Tjetër përplasje mes socialistëve? Manja ironi me Peleshin: Cinizmi yt nuk është më i fortë se ndjesa

Një tjetër moment tensioni është regjistruar këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë, kësaj here mes deputetëve të shumicës socialiste.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mori fjalën në seancë plenare pas rreth dy orësh pritjeje, duke mos e fshehur pakënaqësinë ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili më herët nuk i kishte dhënë të drejtën e fjalës.
Manja ishte planifikuar të fliste për draft-rezolutën mbi integrimin europian, por zgjodhi që fillimisht të ndalej te incidenti procedural i ndodhur në sallë, duke mos kursyer ironitë ndaj kolegut të tij socialist.
“Zoti Kryetar i Kuvendit, meqë më parë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia dhe për t’iu përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën doja të të kërkoja ndjesë me mikrofon që të ula gradat që ke. Preferove që në vend të ndjesës publike të dominojë cinizmi yt me mikrofon. Dua të të them se fuqia e ndjesës, edhe pa mikrofon, është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo ndaj kolegëve në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit”, deklaroi Manja.
“Mua nuk më lejohet të përgjigjem sipas rregullores së Kuvendit, por fjalët tuaja do t’i studioj. Mund të ndryshoj opinion, por jo sjellje”, u shpreh Peleshi.