Deklarata e Zelenskyt kundër Kosovës, provokon Vuçiç: Goditja më e madhe kundër shqiptarëve në 14 vjet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka dalë në mbrojtje homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi ky i fundit bëri një deklaratë kundër pavarësisë së Kosovës dje në Beograd. Vuçiçi tha se në Prishtinë po bëhet “gjueti shtrigash” kundër presidentit ukrainas.
Sipas tij, deklarata e Zelenskyt, është goditja më e madhe që kanë pasur shqiptarët 14 vitet e fundit.
“Prishtina ka reaguar shumë ashpër kundër Zelenskyt. Atje po bëhet një gjueti shtrigash kundër tij. Vetëm imagjinojeni çfarë rezultati do të ishte sikur të vinte dhe të thoshte: ‘Po, Kosova është Serbi’. A kanë pasur shqiptarët goditje më të fortë se kjo në 14 vitet e fundit?”, tha Vuçiç sot në Beograd.
Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe tha se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Udhëheqësi ukrainas tha se shteti i tij i është mirënjohës Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë – të cilën Rusia e ka aneksuar paligjshëm më 2014.
Ndonëse Kievi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Prishtina i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Vendi po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga shteti i tyre për shkak të luftës.