Parandalohet vrasja në Spille. Arrestohet 31-vjeçari, tentoi t’i merrte jetën me kallashnikov 38-vjeçarin

Një konflikt mes disa personave në zonën e Spillesë, në Rrogozhinë, rrezikoi të përshkallëzohej në një ngjarje të rëndë kriminale, por ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e saj.

Pas marrjes së informacionit në rrugë operative se në zonën e Spillesë po ndodhte një konflikt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Postës së Policisë Rrogozhinë u organizuan dhe ndërhynë menjëherë në terren.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, u kap në flagrancë shtetasi E. H., 31 vjeç, i cili në momentin e ndërhyrjes së Policisë mbante një armë zjarri tip “Kallashnikov”.

Arma e zjarrit, së bashku me municionin luftarak, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 31-vjeçari kishte pasur një konflikt me shtetasin I. R., 38 vjeç, dhe, në vijim të përplasjes, dyshohet se kishte tentuar ta vriste me armë zjarri.

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë parandaloi përshkallëzimin e konfliktit dhe shmangu një ngjarje me pasoja të rënda për jetën e 38-vjeçarit.

Ndërkohë, në vijim të hetimeve, është proceduar penalisht edhe shtetasi I. R., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. Sipas Policisë, ai ka goditur me grushte shtetasin N. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së konfliktit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT