Prokuroria e Përgjithshme e ‘dorëzon’ Berishën te Prokuroria e Tiranës, akuzohet se përhapi panik për COVID-19

Rreth një javë pas kallëzimit penal që deputetët socialistë i bënë ish-kryeministrit Sali Berisha për përhapje të lajmeve të rreme dhe të panikut për COVID-19, vjen edhe reagimi zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme.

Pasi kallëzimi i anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë është vlerësuar si jo kompetencë e PP-së, dosja i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës.

Akuza e ngritur nga deputetët e majtë për Berishën është “përhapja informative e rreme, që ngjall panik”, e parashikuar nga Neni 267 i Kodit Penal. Shkresa është hartuar nga prokurori Adnan Xholi dhe i është përcjellë Tiranës për kompetencë.

Në të theksohet se pavarësisht se kallëzimi i deputetëve u bë në Prokurorinë e Përgjithshme, “bazuar në Nenet 74, 76 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale, autoriteti për hetimin e kësaj çështjeje i takon Prokurorisë së Rrethit”. Kjo, për shkak se Sali Berisha nuk mban më mandatin e deputetit dhe as ndonjë post shtetëror, por është një ish-deputet i PD dhe ish-kryeministër.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT