‘Anti-KÇK’, njësi policore kundër krimit e terrorizmit! Përgjime pa vendim gjykate, do goditen dhe zyrtarët e korruptuar

Shqiptarja.com siguron draftin e Paketës Anti-KÇK e cila do të godasë krimin e organizuar, terrorizmin dhe zyrtarët e korruptuar, duke gjurmuar dhe pasuritë e tyre. Njësia do të hetojë 100 krime të parashikuara në Kodin Penal, nga vjedhja me armë, tek droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, terrorizmi, korrupsioni i çdo zyrtari publik e deri tek krimi zgjedhor.

Struktura policore ka të drejtë të nisë hetim pasuror për individët që dyshojnë se niveli i jetesës nuk mbulohet nga të ardhurat. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshorti, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.  Do të goditen dhe do të shpallen të paligjshme edhe kalimet fiktive të pasurive tek të afërm apo persona të tretë.

Sipas këtij drafti, policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të ketë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës.

Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetëm me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart.

Struktura Anti- KÇK do të ketë të drejtën të kufizojë lirinë e individit jo vetëm duke e ndaluar të dalë jashtë shtetit apo t’i bllokojë pasaportën, por edhe t’i kufizojë lëvizjen brenda një territori të caktuar brenda qytetit ku ai jeton. Por edhe më tej, duke i vendosur perimetër lëvizjeve dhe ndalesa në zona të caktuara në qytet. Ky urdhër do të vlerësohet nga prokuroria dhe jo nga gjykata.

Paketa krijon një njësi hetimi nën Policinë e Shtetit, nën varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e cila do të ndahet në dy drejtori: Drejtoria e Anti-terrorit dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar. Ato do të vendosën në një ndërtesë speciale. Kjo njësi do të ketë 12 drejtori rajonale të vendosura në 12 drejtoritë rajonale të policisë.

(Kliko këtu) Draft-Ligji i plotë anti KÇK

Back to top button
LAJMET E FUNDIT