Bashkësitë fetare, “jashtë ligjit”

Raporti për Liritë Fetare në botë, për vitin 2011, i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili ka analizuar edhe gjendjen në Kosovë, ka vënë në theks edhe ankesat e liderëve fetarë për “mungesën e një mekanizmi që grupet fetare të regjistrohen dhe të fitojnë një status legal”. Kjo mungesë, sipas këtij raporti, ka shkaktuar një numër sfidash praktike për grupet fetare.

Këtë e pohojnë edhe zyrtarët e zyrës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe vet përfaqësuesit e disa grupeve fetare në Kosovë.

Besim Kajtazi, drejtor i zyrës ligjore në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës, shpjegon arsyet se pse grupet fetare në Kosovë kanë mbetur, siç thuhet, “jashtë ligjit”.

“Bashkësitë fetare në Kosovë, deri në nxjerrjen e ligjit të ri për organizatat joqeveritare, kanë qenë të regjistruara si organizata joqeveritare. Me nxjerrjen e ligjit të ri për organizatat joqeveritare, bashkësitë fetare janë përjashtuar nga ky ligj dhe si të tilla, kanë mbetur të papërfshira në asnjë ligj tjetër”, ka thënë Kajtazi për “Radio Evropa e Lirë”. “Në këtë mënyrë, është parë si nevojë e kohës që të bëhet ndryshim-plotësimi i ligjit për lirinë fetare, ku do të rregullohet jo vetëm çështja e regjistrimit të bashkësive të ndryshme fetare në Kosovë, por do të rregullohet dhe përmirësohet në përgjithësi pozita e bashkësive fetare të njohura në Kosovë, si dhe atyre që do të regjistrohen në të ardhmen”.

Në anën tjetër, Resul Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se konstatimet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me komunitetet fetare, janë të sakta.

“Ne e kemi vështirë të regjistrojmë makinë zyrtare, sepse ata zotërinjtë konsiderojnë që ose jemi ndonjë OJQ – gjë që ne nuk jemi… Na thonë: ’Zotëri, vetëm dëshmojeni se e keni tretmanin e veçantë dhe do ta pranojmë’. Ose, ta kërkojnë numrin e biznesit. Por, ne nuk jemi një shtëpi biznesi ose diçka që merret me biznes”, thotë Rexhepi.

Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thekson se mungesa e ligjit që do të precizonte pozitën juridike të bashkësive fetare, ka shkaktuar vështirësi edhe për Kishën Katolike të Kosovës.

Megjithatë, përfaqësuesit e komuniteteve fetare thotë se janë optimistë dhe se do të vazhdojnë të jenë të durueshëm. Sipas pritjeve të tyre, së shpejti do të nxirret ligji që rregullon çështjet, të cilat i shqetësojnë.

Kajtazi, siguron se projektligji i ri do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës brenda një kohe të shkurtër.

“Ky projektligj është i paraparë që të përcillet gjatë këtij viti. Shpresojmë që do të miratohet në Kuvend, po ashtu gjatë këtij viti”, shton ai.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT