“Deti” trazon edhe grekët, Bakojanis e akuzon, Kotzias: Marrëveshja e 2009-ës ishte fantazmë
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias gjatë interpelancës në parlament ka folur për negociatat e paktit detar me Shqipërinë.
Ai e ka konsideruar marrëveshjen e 2009 si një marrëveshje fantazmë, raporton Ora News.
“Një marrëveshje e vërtetë është një mijë herë më e mirë se një marrëveshje fantazmë si ajo e vitit 2009”, ka thënë Kotzias.
Kreu i diplomacisë greke tha se grupi negociator i palës greke përbëhet nga 10 persona.
“Grupi ynë negociator përbëhet nga 10 persona. 8 janë zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, një personalitet i të drejtës ndërkombëtare dhe një specialist i hartografisë”.
Duke folur për situatën në Shqipëri, për atë çka po ndodh për këto negociata, Kotzias tha:
“Në këto momente MPJ shqiptare po diskuton me presidentin për plotfuqishmërinë. Kjo plotfuqishmëri do të bazohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që për ne nuk është vendim i duhur”, deklaroi Kotzias.
“Marrëveshja e re ka të bëjë me 9% të sipërfaqes së detit midis Greqisë dhe Shqipërisë. 1.190 kilometra katrorë i përkasin palës greke nëse zgjeron me 12 milje zonën bregdetare, 1.220 kilometra katrorë i përkasin palës shqiptare, e cila tashmë e ka zgjeruar zonën e saj detare me 12 milje, ndërsa mbetet një pjesë rreth 9% e zonës detare për t’u negociuar. Ajo që duhet të zbulojmë është nëse ka çështje të tjera teknike që duhen zgjidhur”, tha Nikos Kotzias.
“Marrëveshja e vitit 2009 është bërë në bazë të vijës së mesme në totalin e përcaktimit të kufirit detar, duke dhënë edhe ndikimin e plotë në këtë përcaktim të ishujve grekë. Qeveria juaj ka synim të ndjekë parimin e së drejtës të gjykimit në vend të vijës së mesme? E mendoni se me këtë lloj gjykimi mund të krijojen precedentë negativë, që nuk do të shërbenin në negociatat e ardhshme për zona të tjera detare të vendit?”, tha Dora Bakoyannis.
Ish-ministrja e Jashtme greke ka kërkuar gjithashtu nga kryediplomati grek listën e negociatorëve, si dhe një kontekst të marrëveshjes, duke e akuzuar atë për negociata të fshehta me Tiranën.
Nga ana e tij, Kotzias ka bërë me dije se 8 prej 10 personave që përbëjnë grupin negociues janë pjesëtarë të administratës, një është personalitet në fushën e së Drejtës dhe një tjetër në fushën e hartave, duke theksuar se nuk ka asnjë prej bashkëpunëtorëve të tij.
Ai ka sqaruar se Greqia nuk po shkon në negociata për të humbur 100% të ndikimit në delimitim nga ishujt pranë Korfuzit, siç ka bërë qeveria “Karamanlis” e vitit 1977, kur në marrëveshjen me palën italiane kanë rënë dakord për një vijë detare që ndikohej në masën 70% nga ishulli Othonoi.
Gjithashtu, ai ka akuzuar konservatorët se, jo vetëm nuk miratuan në Parlament marrëveshjen e vitit 2009, por filluan të kryejnë pa rezultat edhe negociata të fshehta me palën shqiptare në vitin 2014. (Burimi: Mapo.al)/ZgjohuShqiptar.info
NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!