Mazhoranca tërhiqet, mes lëmshit dhe debateve rivlerësimi i shtëpive shkon në 3%

Rivlerësimi i banesave nga ekspertë të licencuar në Kadastra apo privatë p♪7rfundimisht do të jetë në vlerën tre për qind. Mazhoranca është tërhequr nga varianti i saj për rivlerësim në masën 2 për qind, pavarësisht se ishte vendosur nga komisioni parlamentar i Ekonomisë. Vetë socialistët pranuan propozimin e deputetes socialiste Blerina Gjylameti që të ndryshohet varianti i propozuar nga deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj që nga 3 të bëhet në 2 për qind. Por, në seancën e mbrëmshme parlamentare, edhe pse fillimisht u votua me propozimin 2 për qind, pati një ndërhyrje nga ana e deputetit të PS-së, Ervin Bushati.
“Në emër të grupit parlamentar të PS-së propozoj që vlera të jetë tre për qind, për shkak se paratë e mbledhura do të shkojnë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti”, theksoi socialisti. Ky është propozimi që shkaktoi jo pak reagimeve edhe brenda socialistëve, që theksuan se kishin rënë dakord me shifrën dhe se komisioni i Ekonomisë e kishte miratuar.
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi iu drejtua ashpër Ervin Bushatit në seancë.“Ç’punë ke ti që hedh kështu propozimesh, në një kohë që duhet të flasë qeveria, apo vetë propozuesi i nismës Arben Ahmetaj”, tha Ruçi, i cili disi herë i bëri thirrje ministres së Financave, Anila Denaj që të reagonte në lidhje me këtë ndryshim të propozimeve të dalë nga salla.
E hutuar nga fakti se nuk po e kuptonte se për çfarë bëhej fjalë, ministrja ktheu një përgjigje evazive se “është për variantin që ka propozuar qeveria, 3 për qind”, në një kohë që propozuesi i nismës ishte deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj.
Në irritim e sipër Ruçi është munduar që të kthejë procedurat, duke i kërkuar që të shprehet vetë propozuesi i nismës Arben Ahmetaj. Por edhe Ahmetaj ktheu një përgjigje evazive, ku edhe vetë Ruçi iu përgjigj se “fole si ministër pa u votuar ende dekreti në Parlament”.
Gjithsesi kryeparlamentari pasi mori edhe sinjalin e kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla e rihodhi në votim propozimin, duke bërë që e gjithë mazhoranca të votojë pro variantit të ri. Deputetja Blerina Gjylameti ishte e vetmja që abstenoi në rritjen e vlerës së taksës së rivlerësimit, duke shkaktuar dhe një debat jo të vogël me Ballën, i cili kërkoi që të ndryshonte votën, sepse ishte një vendim i grupit parlamentar. “Mos më bërtit mua, se e di unë vendimin tim”, ia ktheu Gjylameti.
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” parashikon se përfitues nga kjo nismë janë 50 mijë qytetarë që nuk kanë mundur të sigurojnë rivlerësimin në dy rastet e mëparshme, në vitin 2013 dhe në vitin 2016. Deputeti socialist Anastas Angjelit u shpreh se kjo fazë bën kalimin e pronave të qytetarëve nga vlera e tyre historike në vlerë tregu. “Nisma sjell përfitime dyfishe, edhe për qytetarët, edhe për buxhetin e shtetit” tha. Angjeli. Projektligji u miratua në Kuvend me 77 vota pro, 14 kundër dhe 6 abstenim.