Aksidenti tragjik në Durrës, fëmija i plagosur del nga rreziku për jetën

Përmirësohet gjendja shëndetësore e fëmijës që mbeti i plagosur nga aksidenti tragjik që ndodhi pasditen e së dielës në Durrës.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News, gazetarja Enkeleda Arapi tha se fatmirësisht, sot fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas aksidentit tepër të rëndë, u pezullua nga puna drejtori i Policisë Vendore të Durrësit, Afrim Tafa, si dhe dy zyrtarë të tjerë: është pezulluar zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, kryekomisar Zija Sulaj si dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, kryekomisar Kreshnik Skëndo.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast. Kjo pasi drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin, rezulton se e kishte drejtuar edhe më parë mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, pranë familjeve që kanë hapur dyert e mortit ka shkuar për ngushëllim edhe nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu.

Spahiu ka vizituar të dy familjet, të cilat gjendet pranë njëra-tjetrës. Pritet që gjatë ditës të shkojnë edhe zyrtarë të tjerë në nivel lokal dhe qendror.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT