“Po pres të më arrestojnë”, Izet Haxhia: Do mundohen të më asgjësojnë në Shqipëri
Izet Haxhia ka marrë në dorë vendimin e gjykatës turke që ka lejuar arrestimin e tij me qëllim ekstradimin ne Shqipëri.Ish-truproja e Berishës shkruan në Facebook se do të donte të kthehej i lirë në Shqipëri dhe jo në pranga.Haxhia thekson se “nuk më trembin as armiqtë e shumtë si hijena që do mundohen ta çojnë deri në fund asgjësimin tim të tentuar disa herë prej tyre”. Duke folur për ata që i cilëson si “hienat politike” thotë se “kur këto hiena t’i kem përballë në sallën e gjyqit atëherë unë do të ballafaqohem me ta me të vërtetat e mia që janë makthi i tyre”.Megjithatë ai shton se nuk ka besim tek drejtësia, “sepse ajo vazhdon të jetë një patericë e fuqishme e politikës dhe krimit”.Postimi i plotë i Izet Haxhisë:Të nderuar miqtë e mi, sapo më erdhi vendimi i gjykatës vendore të qytetit Aydin, që kërkon arrestimin tim për qëllim të ekstradimit në Shqipëri. Të gjitha procedurat e ekstradimit janë të mbyllura pas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë Turke që miraton vendimin e gjykatës së lartë. Me një fjalë nga momenti pritet që të vijnë të më arrestojnë policia turke. Jam shumë i qetë dhe nga një ane kam emocionet që pas rreth 19 vitesh do kthehem në atdheun tim të dashur e të vuajtur, në Atdheun tim që zoti e bëri parajsë, por politikanët e paudhë e kthyen në një vend të pabanueshëm. Do doja shumë të kthehesha në Atdhe si çdo bir apo bijë e tij që kthehet i lirë në folenë e vet… Por fatkeqësisht unë do kthehem me pranga në duar si një i dënuar nga (pa)drejtësia shqiptare, që ka qenë për këto 27 vjet aleate besnike e binomit, politikë-krim. Prangat nuk më trembin as nuk ma marrin dot lirinë, sepse unë e ndjej veten të qetë përpara zotit dhe juve, se në jetën time nuk kam bërë asnjë krim apo diçka tjetër ta ndjej veten fajtor apo ta mbaj kokën ulur. Nuk më trembin as armiqtë e shumtë si hijena që do mundohen ta çojnë deri në fund asgjësimin tim të tentuar disa herë prej tyre. Nuk do jem në shërbim të askujt, vetëm të vërtetës. E di që i gjithë llumi që ka në dorë politikën shqiptare, janë një dhe të pandarë, dhe do mundohen me njëmijë mënyra për të më thyer e të hesht. Unë e kam guximin t’i shoh në sy të gjithë ata që më kanë akuzuar me të padrejtë dhe në mënyrë tinzare nëpër godinat e ambasadave të huaja. Kur këto hiena t’i kem përballë në sallën e gjyqit atëherë unë do të ballafaqohem me ta me të vërtetat e mia që janë makthi i tyre. Nuk kam asnjë besim tek drejtësia, sepse ajo vazhdon të jetë një patericë e fuqishme e politikës dhe krimit. Ndoshta mund të jetë komunikimi i fundit me juve në liri, por jam i sigurtë se mbështetja juaj do të jetë e pandërprerë.Ashtu si deri më sot do luftoj vetëm me një armë që kam, të vërtetën. Ju përshëndes të gjithëve, mirë u takofshim në Atdheun tonë të dashur. Në mënyrë të veçantë përshëndes një njeri shumë të dashur për mua, atë që më bëri të njoh dashurinë, që më bëri të lumtur, që më ndryshoi jetën, ashtu siç më ke dhënë fjalën, dua që të bëhesh e fortë, dashuria jonë do jetë një motiv i madh që do më bëjë të fortë e pamposhtur. Të përshëndes Franca…a.s/dita/ZgjohuShqiptar.info