Negociatat me Greqinë, Presidenti Meta tregon “vijën e kuqe”: Kujdes!
Presidenti Ilir Meta, në një konferencë, i kujtoi ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, kryeministrit Edi Rama dhe të gjitha institucioneve se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas marrëveshjes së vitit 2009, është vija e kuqe e detyrueshme për t’u zbatuar në negociatat me Greqinë për detin.“Nënvizoj se sjellja dhe kontributi i Presidentit ndaj kësaj çështje do të jetë i bazuar vetëm mbi Kushtetutë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka cilësuar dhe interpretuar qartë për herë të parë rolin dhe kompetencën e Presidentit në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe specifikisht të marrëveshjes mbi përcaktimin e hapësirave detare midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë. Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje janë jo vetëm për Presidentin, por të gjithë institucionet shqiptare që përfshihen në këtë proces vija e kuqe e detyrueshme për zbatim”, deklaroi Presidenti.Kreu i shtetit sqaroi se pse publikoi shkresën drejtuar Bushatit për negociatat, ndërsa theksoi se “Presidenti nuk mund të firmosë një letër të bardhë dhe me disa probleme që kanë nevojë të saktësohen”“U detyrova sot jashtë dëshirës sime të bëj publike përgjigjen për MPJ lidhur me kërkesën e saj për autorizim negociatash për palën greke me qëllim qartësimin e opinionit brenda dhe jashtë vendit për këtë çështje mjaft të rëndësishme dhe më e debatueshmja gjatë dekadës së fundit. Duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshëm që i kushtoj forcimit të marrëdhënieve dhe rritjes së frymës së mirëbesimit me të gjithë fqinjët në përgjithësi dhe Greqinë në veçanti. Jo vetëm në detyrën aktuale të Presidentit por edhe në vijimësi në të gjitha detyrat shtetërore dhe politike të mëparshme dua të theksoj mbështetjen dhe angazhimin tim për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe përfundimtare të kësaj çështje të rëndësishme. Për të arritur këto objektiva është e domosdoshme të ketë transparencë të plotë të gjithë procesit nga të gjitha institucionet e shtetit në respekt të Kushtetutës së Republikës dhe vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese numër 15 datë 15 prill 2010”, tha Meta./ZgjohuShqiptar.info