Ambasada e Britanisë: Kurti duhet të tregojë guxim dhe të formojë qeverinë

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, për të cilat thonë se kanë mirëpritur emërimin e Albin Kurtit nga presidenti Thaçi, si kandidat për kryeministër, duke shtuar tutje se politikanët e zgjedhur duhet të tregojnë guxim në formimin e qeverisë,
Me anë të një postimi në Facebook, kjo ambasadë ka bërë thirrje që bisedimet midis këtyre partive politike të kenë një përparim duke pasur tolerancë dhe partneritet të denjë mes vete.
Ata tutje kanë shtuar se votuesit kosovarë kanë pritur më shumë se tre muaj për këtë moment, dhe dëshira e shpresa e tyre për ndryshim, e shprehur më 6 tetor, meriton të respektohet.
“Ne mirëpresim emërimin e Presidentit Thaçi të Albin Kurti si kandidat për Kryeministër për të formuar një qeveri të re. Votuesit kosovarë kanë pritur tre muaj e gjysmë për këtë moment. Shpresa dhe dëshira e tyre për ndryshim, e shprehur kaq qartë më 6 tetor, meriton të respektohet. Politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë guxim dhe kreativitet në formimin e një qeverie që pasqyron dëshirat e elektoratit. Ne bëjmë thirrje për përparim të shpejtë në negociata, në një frymë tolerance dhe partneriteti”, është thënë në postimin e kësaj ambasade.
Sot Presidenti Thaçi ka përcjellur sot zarfin me mandatin për propozimin e kryeministrit, në zyrën e Vetëvendosjes, pasi që lideri i kësaj të fundit ka refuzuar ftesën e Thaçit për tu takuar në zyrën e Presidentit.
Kujtojmë se VV-LDK tash e më shumë se 100 ditë nuk po arrijnë të merren vesh për koalicion dhe ndarjen e pozitave, përkatësisht postit të kryeparlamentarit dhe Presidentit.