Ekspresi i fikur që “vret” dhe Policia që numëron viktimat…

Nga Bledi Lumani
Manza është një qytezë – fshat aq i vogël, sa të gjithë e njohin njëri-tjetrin.
Edhe kush lëviz me pistoletë në brez.
Edhe kush është kthyer nga Italia, si pjesë e një bande që kryente grabitje të dhunshme.
Edhe kush të vret për një fjalë goje, apo largo qoftë, të mos i ndezësh ekspresin e kafesë.
Vetëm Policia nuk “di” gjë.
Ata asnjëherë nuk “dinë” gjë. Madje, as kur ua tregon me gisht!
Më ndodhi dikur, që dy fundjava rresht, ndërsa shkoja në Përmet, policë të maskuar darkave ngrinin postobllok në hyrje të qytetit, në kërkim të kriminelëve të rrezikshëm, në zonën më të qetë në vend, ku ndodhja e një krimi konsiderohet ngjarje e rrallë.
Herën e parë, më kontrolluan me imtësi makinën, a thua isha ndonjë personazh i botës së krimit, jo gazetar, i shoqëruar nga disa miq ngë Tirana, që mbetën të shokuar. Nuk reagova.
Herën e dytë, pas një jave, në makinë, unë, gazetar, një mik, punonjës banke, një tjetër, punonjës bashkie, dhe përballë nja 15 policë të armatosur rëndë.
Këtë herë, përballë pyetjeve të mia, se çfarë ka bërë vaki që çdo fundjavë terrorizohen turistët, a thua Përmeti ishte qendra e krimit, mu afrua vetë shefi i Policisë, pasi mori vesh se isha gazetar, dhe po më justifikohej se bëhej për sigurinë.
Në moment, i them që nuk ka qytet më të sigurtë (shefi nuk kishte shumë që ishte emëruar) dhe të vetmit personazhë problematikë, i ka shumë afër Komisariatit.
Madje isha gati t’i tregoja edhe lokalin ku qendronin dhe kush ishin.
Sikur ta kishte pickuar diçka, u largua nga dritarja e makinës sime ku kishte futur gjysëm kokën dhe iku me nxitim pa thënë asnjë fjalë.
Si për ironi, mu në atë moment, kalon makina e njërit prej këtyre djemve. Policët e përshëndetën, ai vazhdoi në punën e vet, ndërsa unë qendrova dhe nja dhjetë minuta sa të përfundonin verifikimet policët, se kisha pasur një apo dy gjoba parkimi pa paguar.
Aty nuk të falin këta!