Taksa e pronës/ Dyfishim takse në dy vite, në Tiranë katërfishim
Në kryeqytet, në vitin 2015, familjarët paguan për taksën e pronës vetëm 125 mijë euro, ndërsa deri në vitin 2020 pritet që familjarët e kryeqytetit të paguajnë 6.4 milionë euro në vit, ose 50 herë më shumë…Fatura, që qytetarët dhe bizneset do të paguajnë për taksën e pronës, do të vijë në rritje vit pas viti, si rrjedhojë e ndryshimit të formulës së llogaritjes së saj. Nga 1 prilli i vitit të ardhshëm, taksa e pronës do të llogaritet mbi bazën e vlerës, ku për familjarët do të jetë 0.05% e vlerës.Në projektbuxhetin e vitit 2018, Ministria e Financave parashikon që të ardhurat totale nga taksa e pronës të jenë 8.1 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 54% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Ndërsa në 2019-n, kur kjo taksë do të vilet e plotë përgjatë gjithë vitit dhe kadastra do të jetë më e plotë, pritet që qytetarët dhe bizneset të paguajnë 8.7 miliardë lekë, për t’u rritur në 9.4 miliardë lekë në 2020-n, pra gati dyfishi i asaj që paguajnë sot.Teksa dy dekadat e fundit ka pasur një zhvendosjemasive të popullsisë drejt Tiranës, barra më e lartë e taksës së pronës do të jetë për banorët e kryeqytetit. Buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin 2018 parashikon që të ardhurat nga taksa e pronës do të arrijnë 2.5 miliardë lekë, ose sa 31% e totalit të taksës së pronës që pritet të mblidhet në gjithë vendin.Familjet në kryeqytet do të paguajnë në 2018-n rreth 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e rishikimit të formulës së taksës së pronës, mbi bazën e vlerës. “Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 Prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe % e caktuar për masën e taksës si për banesat dhe objektet e biznesit. Për këtë qëllim, në bashkepunim me institucionet qendrore por jo vetëm, ka filluar ngritja e bazës së të dhënave për krijimin e kadastrës fiskale si informacion vendimtar për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave”, thuhet në relacionin e Bashkisë. Në 2019-n, pagesa e familjarëve për taksën e pronës pritet të rritet edhe më tej, duke arritur në 850 milionë lekë (6.2 milionë euro), ose gati 4 herë më shumë se shuma që pritet të paguhet në vitin 2017.Edhe bizneset në Tiranë do të paguajnë 2 miliardë lekë si taksa prone, me një rritje prej 25% në krahasim me vitin e kaluar. Fatura do rëndohet sërish në 2019 dhe 2020, përkatësisht në 2.2 dhe 2.3 miliardë lekë.Formula e re e tatimit të taksës së pronës mbi bazën e vlerë u miratua pas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtare, teksa rezultoi së kjo taksë, nga e cila faturohej 0.2-0.3% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) ishte e nënmbledhur në krahasim edhe me vendet e tjera të rajonit. Me përllogaritjen e re pritet që të ardhurat nga kjo taksë të shkojnë në 0.5% të PBB-së, afër mesatares rajonale.Kjo nënkupton një rritje të ndjeshme të faturës që çdo familje do të paguajë për pronën që zotëron. Në kryeqytet psh, në vitin 2015, familjarët paguan për taksën e pronës vetëm 17 milionë lekë (125 mijë euro), ndërsa deri në vitin 2020 pritet që familjarët e kryeqytetit të paguajnë 870 milionë lekë (6.4 milionë euro), ose 50 herë më shumë.