Pashko Vasa: Sllavët në Maqedoni u vendosën si punëtorë krahu në pronat e shqiptarëve

Pashko Vasa në vitin 1878 në një memorandum dërguar sekretarit të jashtëm të kryeministrit, Benjamin Disrael, përmendte ardhjet e familjeve sllave në Maqedoni si punëtorë krahu, kryesisht bujq
Ndryshe nga pretendimet e rrënjosura në historiografitë fqinje, prania e elementit sllavofon në Kosovë dhe Maqedoni rezulton të jetë fare e vonë. Kërkimet e gjeografit serb, Jovan Cvijiq, provuan se shumica e sllavëve në rajonin e Moravës (Toplica e dikurshme) nuk kishin kujtesë më të hershme sesa 200 vjet, rrethanë që flet për vendosjen e tyre të vonshme nga viset e brendshme të Hercegovinës dhe Malit të Zi, shkruan Konica.al
Edhe historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt pranon se kishte ardhje të serbëve nga pjesët e tjera të Perandorisë Osmane në Kosovë dhe Maqedoni. Ai merr shembull vendbanimin e Graçaninës (sot komunë serbe në jug të Prishtinës), që u themelua në shekullin XVIII nga një çifligar turk dhe u popullua me familje ortodokse sllave.
Edhe Pashko Vasa në vitin 1878 në një memorandum dërguar sekretarit të jashtëm të kryeministrit, Benjamin Disrael, përmendte ardhjet e familjeve sllave në Maqedoni si punëtorë krahu, kryesisht bujq.
Duke i tërhequr vërejtjen britanikëve për shquesen shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, Vasa nënvizonte se ‘shumica e banorëve sllavë kanë ardhur si kolonë’.
Ai përmend edhe fshatrat e rrethinës së Shkupit, në të cilat banonin bullgarë.
“Ka bullgarë vetëm në ultësira në të cilat ata erdhën për të punuar tokën si kolonistë për pronarët e mëdhenj myslimanë”. 
Vasa tutje shpjegon arsyet e vendosjes së elementit sllav në Maqedoni.
“Nuk duhet të harrohet se myslimanët dhe të gjithë shqiptarët asnjëherë nuk e kanë honepsur bujqësinë. Për t’i përdorur arat e tyre dhe për t’i bërë prodhuese, ata gjithmonë kanë ftuar bullgarët si kolonë, dhe kjo gjendje epërsie e tyre bëri që ata të vendoseshin në pjesë të ndryshme të Thrakisë, Maqedonisë, Thesalisë, madje edhe në Shqipërinë veriake”, nënvizon Vasa në memorandumin e tij.
Guvernatori i ardhshëm i Libanit duke kundërshtuar fuqishëm zaptimin e Maqedonisë siç parashihej nga Traktati i Shën Stefanit, mendonte se zgjidhja qëndronte në dëbimin e ‘kolonive bullgare’.
“Do të ishte më e drejtë dhe e barabartë, dhe madje më e arsyeshme, të dëbohen ngulimet bullgare në trevat që janë njëmend bullgare përtej maleve të Ballkanit sesa të dëbohen banorët vendës që përbëjnë forcën e vendit dhe zotërojnë pronat dhe pasurinë”, thuhej mes të tjerash në memorandum./ZgjohuShqiptar.info
