Integrimi Evropian/ Një progres me “hapa breshke”

Pas shumë viteve paqëndrueshmërie politike dhe mjaft vështirësive në zbatimin e disa reformave që kishte kërkuar me kohë unioni evropian, më në fund vetëm në vitin 2003 Shqipëria do të nënshkruante aktin e hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Ndërsa vetëm në vitin 2006 u vendos nga Bashkimi Evropian që Shqipëria të mbaronte Marrëveshjen. Duke u bërë kështu vendi i tretë nga Ballkani Perëndimor që nënshkruante MSA-në.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të MSA-së në vitin 2009, qeveria e atëhershme shqiptare do t’i bënte kërkesë Komisionit Evropian për hapjen e negociatave dhe integrimin evropian të vendit.
Kjo siç shihej do të ishte një lëvizje e gabuar, dhe madje këtë do t’a kritikonin edhe zyrtarë të lartë të BE që këshillonin të shihej sesi do të zhvilloheshin zgjedhjet e përgjjithshme të vitit 2009, dhe pastaj të jepej një vendim.
Nisur nga manyra sesi u zhvilluan zgjedhjet e vitit 2009 dhe se në çfarë situate kaluan, Komisioni Evropian do t’i thoshte dy herë JO kërkesës së qeverisë shqiptare për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.
Vetëm në vitin 2013, Komisioni Evropian do të rekomandonte dhënien e statusit të kushtëzuar për Shqipërinë dhe në vitin 2014 Këshilli Evropian do të miratonte këtë kërkesë. Dhe që nga ai vit Shqipëria vazhdon akoma të mbetet pas dere për hapjen e negociatave me BE-në.
Referuar viteve që Kroacisë, Malit të Zi apo edhe Serbisë i është dashur për kalimin e proceseve që folëm më sipër, mund të themi që Shqipërisë i është dashur dyfishi apo edhe trefishi i kohës që zakonisht u duhet shteteve të tjera.
Kështu për të qene konkret, mund të themi që Malit të Z, Serbisë apo edhe Maqedonisë për të kaluar procesin nga aplikimi tek marrja e statusit të vendit kandidat u është dashur 1 deri në dy vjet. Ndërkohë në rastin tonë na janë dashur plot 5 vite.
Madje edhe përtej kësaj ne kemi 6 vite nga marrja e statusit të vendit kandidat, dhe akoma nuk kemi minimalisht një datë për hapjen e negociatave, edhe pse duhet thënë që janë përfolur disa data të mundshme.
Arsyet e këtij “progresi me hapa breshke” duhet thënë që kanë ardhur kryesisht dhe në të vërtetë për arsye politike. Edhe pse nuk duhet të përjashtojmë arsyet teknike dhe mungesës së një administrate serioze e të përgatitur.
Polarizimi ekstrem politik, mungesa e vullnetit për të zbatuar reformat e ndërmarra, qasja konfliktuale para dhe pas zgjedhjeve midis partive, apo edhe anatagonizmi i vazhdueshëm mes aktorëve politikë, duhet thënë që janë shkaktarët kryesorë dhe të vetëm të faktit që sot Shqipëria ka bërë progres me hapa breshke në drejtim të integrimit evropian.