Tirana, një qendër e madhe tregtare, shitësit ambulantë pushtojnë trotuaret

—-Nga Kliti Topalli—-
Tiranë- Shifrat e bëra publike nga institucionet studimore në vend tregojnë për një rritje të papunësisë vitet e fundit, dhe për këtë arsye shumë persona po gjejnë rrugë alternative për të mbijetuar. Një ndër to është hapja e bizneseve, apo tregtimi i produkteve ushqimore dhe veshjeve në rrugë. Për këtë arsye rrugët e Tiranës janë mbushur me tregtarë ambulantë në çdo pjesë të tyre. Disa shesin fruta, disa perime, disa bulmetra, ndërsa të tjerët veshje, bizhuteri, veshje e aksesorë për femra etj.
Një vit më parë, pak muaj pasi kryebashkiaku Lulëzim Basha erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës, premtoi se do të largohen nga trotuaret të gjithë shitësit ambulantë, si dhe tavolinat e lokaleve. Dy ditë më parë Gazeta IDEA tregoi se pothuajse të gjitha lokalet tavolinat i mbajnë në trotuare, dhe deri më sot pushteti vendor nuk ka marrë asnjë masë.
E njëjta gjë ndodh edhe me shitësit ambulantë, të cilët kanë “pushtuar” trotuaret duke shitur ç’të mundin për të siguruar bukën e gojës. Situta shihet mjaft alarmante pranë zonës së Shkollës së Baletit. Bashkia ka krijuar aty një ambient për tregtimin e produkteve, dhe ata që paguajnë taksa vijojnë të tregtojnë produkte. Por ka me dhjetra të tjerë që nuk duan të shlyejnë detyrimet fiskale dhe përdorin trotuaret për të shitur mallrat e tyre. Në këtë zonë në mëngjes, është e pamundur të kalosh, pasi trotuaret janë të mbushura, me domate, qumësht, lakra, speca dhe produkte nga më të ndryshmet.
E njëta gjë është edhe tek stacioni i trenit. Përballë tij fshatarët shesin produkte të ndryshme ushqimore, dhe siç duket e kanë kthyer në pronë private trotuarin sepse gjithmonë tregtojnë në të njëjtin vend, dhe nuk lejojnë shitës të tjerë që të shesin aty.
Por përveç zaptimit të trotuareve, një tjetër problematikë është dhe shitja e produkteve të qumështit në kushte të papërshtatshme higjenike, duke rritur mundësitë për shkaktimin e sëmundjeve. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në orët e pasdites të gjtha këto pika kthehen në vendgrumbullim mbeturinash, pasi shitësit i lënë aty të gjitha plehrat, dhe janë punonjësit e bashkisë ata që i pastrojnë.
Por trotuaret nuk pushtohen vetëm nga shitësit e ushqimeve. Një pjesë e dyqaneve të rrobave dhe aksesorëve të tjerë shumë nga mallrat e tyre i nxjerrin jashtë dyqanit, duke zënë një hapësirë mjaft të madhe. Por ka edhe nga ata që tregtojnë lodra, syze, gazeta, paketa, dhe çdo gjë tjetër, që vendosin një tavolinë në mes të trotuarit, dhe pa problem kthehen në biznesmenë.
Ne nuk kërkojmë që ata të mos shesin, pasi ajo është një mënyrë për të mbijetuar. Por kërkojmë që Bashkia e Tiranës të gjejë një vend të përshtatshëm për këtë kategori shitësish, t’i grumbullojë në një treg ku të ketë kushte më të mira higjeno- sanitare, në mënyrë që trotuaret të mos kthehen në një “ferr” për këmbësorët.
Ankesa ka edhe nga vetë qytetarët, të cilët e shohin mjaft problematik këtë fenomen. Sipas një banori pranë zonës së “Librit Universitar”, shitësit e fruta- perimeve në këtë pjesë të kryeqytetit kanë bllokuar totalisht trotuarin, dhe sipas tij Policia Bashkiake kalon aty çdo ditë dhe nuk merr asnjë masë.
“Shqetësues janë, si mos jenë shqetësues? E sheh që trotuarin e kanë mbushur plot me arka dhe nuk kemi ku të kalojmë. Tani na mbetet të ecim në rrugë sëbashku me makinat, ose të lëvizim natën kur shitësit i kanë mbyllur bizneset. Për ne pleqtë është akoma më keq se ke frikë të dalësh në rrugë se na shtypin makinat. Pastaj edhe policat kalojnë këtu çdo ditë, dhe askush nuk po i heq”, tha ai.
Ndërsa një tjetër shpreh ankesa mbi kushtet në të cilat shiten produktet. “Lëre trotuaret që zaptuan, po shesin lloj lloj gjërash ndërkohë që në krah të tyre grumbullojnë mbeturinat. Shesin djathë, gjalpë, gjizë, qumësh, dhe askush nuk i ndalon. Shishja e qumështit dhe bulmeti rrinë gjithë ditën në diell, dhe qytetarët i konsumojnë pa problem”,- deklaroi ai.
Në shtator të vitit të shkuar u ngrit një grup Task- Force i cili largoi çfarë do lloj subjekti nga rruga, dhe u paralajmërua se do të ketë masa të rrepta nëse thyet ligji. Por situata e sotme na kujton një fenomen të njohur për shqiptarët. Premtimet bëhen gjatë fushatave, punohet dy deri në tre muaj pas marrjes së pushtetit, pastaj gjithçka i rikthehet normalitetit dhe harrohet se çfarë është premtuar.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT