Moisiu: “Shtetësia kanadeze e kreut të SHISH, jo interes kombëtar”

TIRANE- Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka reguar mbi lajmin e publikuar në media të emërimit të drejtorit të ri të Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi Lika, i cili zëvendësoi në detyrë ish-kreun Bahri Shaqiri, që ishte dekretuar prej presidentit Moisiu. Në një intervistë për Vizion Plus, për Moisiun shtetësia kanadeze e Likës e bën vendimin për emërimin e tij jo në përputhje me interesat kombëtare. 
“Është njëlloj sikur të marrësh një person të huaj, t’i japësh shtetësinë shqiptare dhe ta vendosësh në një pozicion të tillë. Këto kanë ndodhur por kanë ndodhur në kohën e mbretërisë së Zogut, që kemi pasur komandatin e xhandarmërisë një anglez. Në një shtet të pavarur, demokratik nuk ka pse të ndodhin këto gjëra. Nuk është se mungojnë njerëzit. Nuk e di pse është marrë një vendim i tillë. Nuk e njoh fare drejtorin e SHISH, por nuk është një vendim i drejtë në përputhje me interesat kombëtare”, – tha Moisiu.

Ish-Presidenti Moisiu shtoi se Shërbimit Informativ Shtetëror i duhen drejtues që të sigurojnë e garantojnë pavarësinë e institucionit, sepse kjo ka qenë ajo çfarë i ka munguar më së shumti SHISH- it. Ai gjithashtu i ka apeluar Likës të bëjë kujdes për të mos i rikthyer strukturat e shërbimeve inteligjente si në periudhën 1992-1997, kur SHIK-u drejtohej nga gjenerali famëkeq, Bashkim Gazidede. “Duhet të vihen njerëz që vërtet kanë pavarësi dhe ta ruajnë këtë pavarësi nga politika, sepse ky Shërbim ka vuajtur, veçanërisht në periudhën ’92-’97, kur u politizua dhe nuk merrej me detyrat e tij, por merrej duke ndjekur opozitën dhe njerëzit që Presidenti i asaj kohe, Berisha, i quante se janë në kundërshtim me parimet dhe kërkesat e tij. Pra duhet bërë shumë kujdes. Ai ka qenë një Shërbim Informativ që merrej më shumë me politikën e brendshme, sesa me mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Jo vetëm kaq, por në atë kohë janë kryer disa gjëra, siç është rasti i Remzi Hoxhës, për të cilin akoma nuk dihet fati i tij”, – deklaroi Moisiu.

Pak ditë më parë në media u publikua lajmi se drejtori i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, mund të gëzojë edhe pasaportë kanadeze për shkak se ka jetuar 12 vjet në këtë shtet. Lika, ish-zv ministër i Inovacionit, në qeverinë Berisha u emërua në krye të shërbimeve inteligjente shqiptare në datën 9 gusht me dekret të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Referuar CV-së zyrtare, të publikuar prej tij në faqen në internet të SHISH, ai pohon se në periudhën ‘94-’97 ka ushtruar detyrën e drejtorit të Shërbimit të Jashtëm në SHIK-un e gjeneralit famëkeq, Bashkim Gazidede.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT