Më 7 prill vuloset që Struga përjetësisht të jetë shqiptare
Kush është Ziadin Sela?
Dr.Ziadin Sela, ka lindur më 01.11.1972, në fshatin Livadhi të Strugës. Rrjedh nga një familje e formuar me taban kombëtar dhe arsimdashëse. Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, për të vazhduar shkollën e mesme në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë, në drejtimin matematiko-natyror.
Pas përfundimit të shollës së mesme, vazhdon studimet në Fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Tiranës (1992-1998).
Gjatë krizës-luftës së Kosovës, më 1999, është angazhuar me ekipet e Kryqit të Kuq ndërkombëtar dhe më pas, në vitin 2000-2004, punon, ushtron profesionin e mjekut në Poliklinikën në Veleshtë.
Në periudhën e ardhshme dy vjeçare, 2004-2006, punon në Qendrën medicinale- Ndihmën e shpejtë (Urgjencën) në Strugë.
Nga viti 2006-2008, emërohet drejtor i Inspektoratit Sanitar, në kuadër të Ministrisë së shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë. Dr. Ziadin Sela, së shpejti do të përfundojë edhe specializimin në mjekësinë interne.
Në vitin 2009, zgjidhet kryetar i Degës së Partisë Demokratike Shqiptare në Strugë, detyrë që e ushtron deri në vitin 2011, kur si bartës i listës së deputetëve të PDSH-së, zgjidhet deputet në Parlamentin e Maqedonisë, funksion të cilin e ka ushtruar deri më tani, ku është shquar për mbrojtjen e interesave të përgjithshme shqiptare, duke qenë një nga luftëtarët e denjë të mbrojtjes së dinjitetit, çështjes kombëtare në të gjitha aspektet.
Në zgjedhjet lokale 2013, kandidohet për postin e kryetarit të komunës së Strugës, duke kaluar raundin e parë të zgjedhjeve ndër tre kandidatët e mundshëm, ndërsa tani më 7 prill është në balotazh me kandidatin e bllokut politik dhe nacional maqedonas.
Struga është në këtë gjendje që është, me një kaos të përgjithshëm urbanistik, cilat zgjidhje u ofroni qytetarëve?
Ziadin Sela: Vlerësimi im për gjendjen momentale është njëlloj si i të gjithë qytetarëve që përditë përballen me këto probleme por edhe unë jam qytetar i Strugës dhe vazhdoj të jem edhe më tej qytetar i Strugës. Gjithkund ka probleme të infrastrukturës rrugore si në qytet ashtu edhe nëpër vendbanimet rurale. Me ekipin me të cilin do të drejtoj Strugën dhe me administratën e tanishme, do të vendosim një princip të ri dhe do të intervenojmë menjëherë aty ku është nevoja për tu intervenuar. Do të ketë menaxhim të mirëfilltë të fondeve në këtë drejtim.
Ekonomia dhe zhvillimi?
Ziadin Sela: Krijimi i mundësive për tërheqjen dhe thithjen e investimeve dhe investitorëve të huaj, që mundëson edhe hapja e vendeve të reja të punës, për të përmirësuar papunësinë dhe gjendjen e përgjithshme sociale. Po ashtu do të stimulohen edhe bizneset e të gjitha kategorive, të vogla, të mesme dhe ato të mëdha. Për këtë, unë si kryetar i komunës, do të formoj dy sektor të rinj; një sektor që do të merret me thithjen e IPA fondeve nga Bashkimi Evropian të cilët që do të jete një stimul plus për bizneset në Strugë, të cilët nëpërmjet komunës do të thithen këto fonde. Një tjetër sektor shumë i rëndësishëm do të jetë sektori për tërheqjen dhe thithjen e investitorëve të huaj, duke krijuar lehtësira administrative dhe procedurale, për thjeshtësimin e procedurës që sa më parë të fillojë investimi dhe puna, duke anashkaluar burokracinë e instaluar. Ndërtimi i një zone ekonomike në Strugë do të jetë po ashtu një nga preokupimet tona. Këtu janë edhe bujqësia etj etj që stimulohen nga IPA fondet.
Turizmi, si degë më fitimprurëse e ekonomisë?
Ziadin Sela: Turizmi është shumë kompleks. Secili turist që vjen, është një reklamë shëtitëse që vëren kaosin urbanistik, uzurpimin e hapësirave publike dhe probleme të tjera që janë shumë evidente. Kjo gjendje, ky kaos i krijuar, po humbën dita ditës turistët nga Struga. Ne kemi paraparë që pos lulëzimit të turizmit veror që ka Struga, -sepse tani në këtë gjendje që është Struga nuk na vijnë turistë por na vijnë vetëm gurbetçinjë, – kemi paraparë disa projekte tjera që Strugën ta shndërrojmë në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit, për të jetësuar edhe idenë e turizmit dimëror, me investimet në Belicë të sipërme e mbase edhe në Llabunishtë, që do ta bënte turizmin më jetëgjatë në Strugë. Po në këtë kuadër planifikojmë edhe ngjarje kulturore për begatimin e turizmit, duke realizuar javën kulturore të të gjitha komuniteteve në Strugë, kështu që Struga gjatë tërë vitit do të jetë përplot manifestime kulturore dhe aktivitete turistike, që do të vë në lëvizje gjithë potencialin turistik. Diversitetet etnike, do të bëhen tërheqës për turistët në Strugë si ata nga vendi e pse jo edhe nga jashtë. Panairet turistike po ashtu do të bëhen pjesë e aktiviteteve turistike, bashkë me agjentëve turistik që janë bashkatdhetarët tanë në botën e jashtme, që do të shndërrohen në ambasador të vërtetë të turizmit.
Shëndetësia në Strugë me probleme, shërbimet ofrohen në Strugë, mjetet buxhetore për rreth 20 mijë banorë të komunës shkojnë në Vevçan?
Ziadin Sela: Natyrisht se ky është një problem që del nga standardet e dyfishta që implementohen edhe pas 22 viteve demokraci në Maqedoni janë evidente. Si kryetar i komunës do të angazhohem për shtrirjen e rrjetit shëndetësor në tërë komunën që qytetarët të kryejnë shërbimet në institucionet shëndetësore të Strugës. Shtëpia e shëndetit në Vevçan nuk ka mundësi të ofrojë shërbime banorëve të Llabunishtit, Podrorcës, Veleshtës, etj, ndaj do të angazhohemi që të hapim një shtëpi shëndeti në Llabunishtë, për shërbimet mjekësore atje. Këtu vlen të theksohet se nuk është bërë decentralizimi i shëndetësisë dhe Qeveria këtë e ndalon, edhe pse kompetencat e mjekësisë primare duhet të merren nga komunat, ashtu siç është për arsimin dhe kulturën. Isha një kohë edhe drejtor i inspektoratit shëndetësor dhe bëra një punë, por ajo përsëri është kthyer aty ku ishte. Pacientët edhe sot detyrohen të blejnë terapi dhe ilaçe me paratë e tyre, gjendje që nuk është e kënaqshme.
Higjijena e qytetit?
Ziadin Sela: Gjendja momentale është katastrofale, sepse përditë e thithim me mushkëritë tona ate deponinë e egër dhe tymi që del nga ajo e që është shumë afër, 100 ose 200 metra larg qytetit. Nuk ka qytet pa ndërmarrje komunale, por kjo duhet më së miri të funksionojë në kuadër të qytetit. Struga është shndërruar në një sërë deponish të egra dhe unë kam kërkuar mjete buxhetore edhe nga Qeveria për pastrimin e këtyre deponive, sepse ato prishin dhe ndotin ambientin jetësor. Synojmë në disa reforma në këtë ndërmarrje publike dhe që javën e parë do të pastrohet qyteti me ndihmën e të gjithëve. Për fat të keq projektet qeveritare nuk kanë pushuar për të qenë në letër por asnjëherë nuk janë jetësuar e sidomos në komunat shqiptare. Do të bisedojmë me investitor të huaj që të ndërtojnë kapacitete për riciklimin e mbeturinave që po ashtu do të hapin edhe vende të reja të punës.
Cili është vlerësimi juaj për gjendjen në arsim dhe përmirësimi i kësaj gjendje në aspektin hapësinor, mësimit kabinetik. U premntua ndërtimi i shkollës në Kalishtë, mirëpo në projektin e Qeverisë kjo shkollë nuk figuron askund dhe problemi i shkollës shqipe në Podgorcë?
Ziadin Sela: Secili ministër që vjen në Strugë dhe deklaron se nuk e ka ditë gjendjen në ndonjë shkollë, unë them se nuk është e vërtetë. Që më 2007, kam vizituar dhe bërë kontrolle në të gjitha shkollat e Maqedonisë, e për këtë ekziston edhe dokument zyrtar, ku kam konstatuar se mbi 95% të shkollave nuk i plotësojnë kushtet për mbajtjen e procesit edukativo arsimor. Asokohe Qeveria ndau 6 milion euro për rregullimin e nyjeve sanitare, që është një nga burimet kryesore të epidemive të hepatitit, pos erës së padurueshme të keqe. Problemet në arsim do të zgjidhen prej aty ku janë krijuar. Do të bëj depolitizimin e plotë të arsimit, që nënkupton se nuk do të bëjmë drejtor partiak, por, do të bëjmë drejtor ata që e duan punën; nuk do të punësojmë ushtar partiak, sepse unë isha kandidat i PDSH-së e tani jam kandidat i të gjithë shqiptarëve, ndërsa nesër… do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të Strugës. Do të përpiqemi që gradualisht të përmirësojmë edhe mësimin kabinetik në shkolla. Do të stimulojmë talentet dhe do të krijojmë ndjenjën e garës për dijeni e njohuri nëpër shkolla.
Duke pasë parasysh se Struga është bërë edhe qytet universitar, do të bëjmë çmos që të hapet edhe një bibliotekë universitare, kështu që studentët të ketë hapsira ku do të ulen e të mësojnë, posikur që veprojnë në të gjithë qendrat universitare nëpër botë.
Lidhur me shkollën në Podgorcë, unë jam deklaruar edhe si deputet por edhe në takimet me përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve. Për këtë nuk ka asnjë dilemë. Do të bëhet ashtu si e parasheh ligji. Me ligj është që secili fëmijë ka të drejtë arsimin fillor dhe të mesëm ta ketë në gjuhën e tij amtare, që është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, me Kartën e të drejtave universale dhe me Ligjin për arsimin fillor. Kjo pa mëdyshje do të respektohet dhe unë u premtoj podgorcasve dhe të gjithë qytetarëve se secili do të mësojë në gjuhën në të cilën dëshiron ai. Në Podgorcë, paralelet në gjuhën shqipe do të funksionojnë dhe për këtë i garantoj të gjithë.
Struga është qytet i poezisë, qytet i festivaleve, qytet i kulturës. Cili është programi juaj për kulturën në Strugë?
Ziadin Sela: Po e filloj me Mbrëmjet Strugane të Poezisë, që mbahen në gjuhën maqedonase, angleze por jo edhe në shqip. MSP do të bëhen edhe mbrëmje poetike në shqip, sepse nuk ka ligj që përcakton se ku mundet e ku nuk mundet të flitet shqip dhe nuk mund të përcaktohet me metër katror se ku mund të flitet e ku nuk mund të flitet shqip. Do të organizojmë edhe një festival të poezisë që do të nxisë të rinjtë të merren me poezi, për tu bërë pjesë e manifestimit ndërkombëtar MSP. Do të bëj që të riaktivizohet edhe Teatri “Sofra”, do t`ia kthejmë dinjitetin edhe festivalit “Këngë Jeho” që do të mbështetet maksimalisht. I përmendëm më lartë edhe javët e kulturës, ku do të ketë përmbajtje të nduarduarta, që do të tërheq edhe shumë turistë të vendit dhe të huaj. Edhe iniciativat private do të mbështeten sipas mundësive, si p.sh. edhe Muzeu i Etnokulturës, edhe pse parapëlqej zgjidhjet institucionale, mandej restaurimi i hamamit të Strugës, restaurimi i xhamisë “Mustafa Çelebi”, “Sahat kulla” etj. Do të shënojmë edhe 100 vjetorin e Luftës së Petrinjës e shumë ngjarje tjera kulturore, për ta pasuruar hartën turistike të Strugës.
Rinia dhe sporti?
Ziadin Sela: Unë fushatën e fillova dhe po e vazhdoj me rininë. Nuk po i hy asaj se do të përpiqemi të hapim vende të reja të punës, por, sa i përket sportit, kemi premtuar dhe do të realizojmë që të gjitha fshatrat të ketë qendra sportive, terrene-fusha sporti ku do të angazhohet rinia. Ndërkaq në Strugë, do të rijetësojmë sportet e ujit, ndërtimin e pishinës së qytetit, ndërtimin e një stadiumi me të gjitha përmbajtjet e sporteve të atletikës etj, si dhe financimi i klubeve sportive, që në bashkëpunim me klubet e futbollit, për të pas një klub në ligën e parë të futbollit në Maqedoni. Ne në Strugë mund të krenohemi me sportistët strugan sidomos të sporteve luftarake, më konkretisht me Agron Xhilën dhe Nasi Hanin, tashmë të njohur në Evropë dhe në botë, dhe jemi në bisedime për përgatitjen e një ngjarje të madhe sportive, që planifikohet të mbahet në gjysmën e dytë të korrikut të vitit 2014, ku në sheshin “Nënë Tereza”, në bashkëorganizim me federatat botërore të boksit, të mbahet “Mbrëmja e boksit shqiptar”, ku do të jenë dy boksierët profesionist shqiptar nga Struga dhe shumë të tjerë, që do ta begatojnë edhe jetën sportive dhe turistike në Strugë. Këtë po e përmendi për herë të parë, gjë të cilën nuk e kam përmendur gjatë fushatës së gjertanishme. Shpresoj se ky aktivitet sportive të bëhet i përvitshëm.
Si e vlerësoni sigurinë e jetës së qytetarëve dhe të pronës?
Ziadin Sela: Është shumë keq kur nuk ndërmerret asgjë në drejtim të sigurisë së qytetarëve. Është shumë e dhimbshme kur nxënësi vjen në shkollë dhe theret me thikë nga një qytetar që aspak nuk është nxënës atje, siç ishte rasti i nxënësit nga Koroshishta. Do të garantojmë se askush pa identifikim të mos hyjë në oborret shkollore. Do të vazhdoj të kërkoj që të garantohet siguria e qytetarëve. Ka edhe standarde të policisë dhe do të kërkoj që të rihapet stacioni i policisë në Dellogozhdë dhe që stacioni i policisë në Strugë të pavarësohet nga Ohri.
Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Strugës, qytetarët shqiptar, për datën 7 prill?
Ziadin Sela: Unë shfrytëzoj rastin të përsëris se në këtë betejë jemi bashkë. Unë e kam thënë se në Strugë është beteje kombëtare shqiptare dhe shqiptarët dinë ta fitojnë atë. Natyrisht barra më e madhe është e imja dhe Arbenit (Labënishtit), e në të dy do të dimë edhe kësaj radhe ti mobilizojmë të gjithë votuesit që dolën në raundin e parë më 24 maj, dhe të dalim ashti siç na ka hije dhe siç na ka lezet. Është krijuar një precedencë në Strugë më 2009, e tani është hera e dytë për tu krijuar edhe një precedencë që më 7 prill vendoset për principe. Ky princip në Strugë do të jetë se çdo herë do të ketë garë në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë të gjithë shqiptarët do ta votojnë kandidatin i cili është rezultat i raundit të parë të kësaj gare. Kjo do të jetë edhe dita, kur shqiptarët do të lënë anash dhe do ti harrojnë inatet, mëritë etj dhe do të bashkohen vëllazërisht dhe qetë, në mënyrë demokratike dhe të civilizuar të shkojnë në kutitë e votimit dhe do të japin votën e tyre kandidatit shqiptar. Unë jam kandidat i të gjithë shqiptarëve të Strugës, dhe do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të Strugës. I lus të gjithë qytetarët të dalin e të votojnë në mënyrë edhe më masovike se sa në raundin e parë. Është një moment shumë i rëndësishëm se më 7 prill vuloset një herë e përgjithmonë, që kryetari i komunës të jetë përjetësisht shqiptar. Do të jetë ky një mesazh shumë i mirë ndaj atyre që flasin për shkelje të demokracisë dhe bëhen bashkë për të shkelur një princip të demokracisë, e ky është vullneti i shumicës. Me këtë i jepet edhe një mesazh shumë i mirë dhe i fuqishëm edhe VMRO-DPMNE-së edhe LSDM-së më 7 prill, që jot ë bashkohen por edhe kush e din se çfarë të bëjnë, tua presim shpresat që Strugën nuk do ta marrin kurrë sepse Struga është me shumicë shqiptare. Më 7 prill i ftoj që sa më masovikisht të dalin shqiptarët dhe të shënojmë një fitore të thellë ndaj atyre që shantazhojnë e kërcënojnë njerëz, që në raundin e dytë fusin në programet e tyre ndonjë projekt për shqiptarët vetëm e vetëm për ti mashtruar, e harrojnë se 7-8 vite janë në Qeveri dhe asnjë projekt nuk kanë bërë. Shkojnë edhe më larg, duke provokuar shqiptarët me “Portën e Vevçanit” nëpër të cilën duhet të kalojnë edhe qytetar të besimit mysliman dhe unë do të angazhohem që ajo portë të mos jetë aty dhe të mos ketë simbole fetare.
Në emër të amanetit të të parëve, në emër të lotit dhe djersës së nënave tona, të gjakut të shumë njerëzve që kanë derdhur gjak që shqiptarët një ditë shohin dritë, e jo vetëm në emrin tim personal, shqiptarët të dalin sa më masovikisht dhe të bëhet goditja e atyre që duan ta marrin Strugën, që shqiptarët këtë nuk do ta lejojnë. Bashkë me Arbenin (Labënishtin), bashkë me gjithë shqiptarët, më 7 prill do të dimë të korrim fitore. (INA)
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.