Ballshi, një qytet në depresion që ka nisur të zbrazet

Në qytet gjithçka po shitet, ndërsa banorët kanë braktisur banesat
“Tri pallate u boshatisën, pasi të ardhurit nga Rromësi u kthyen në fshat, për shkak të superstradës”
Edmond Hoxhaj
Asaj së cilës banorët e qytetit të Ballshit iu trembën fillimisht, kur rruga nacionale e la pas krahëve këtë qendër urbane, tashmë i ka dhënë rezultatet e saj, që fatkeqësisht duken negative. Kanë kaluar shtatë muaj që prej hapjes së superstradës Levan-Damës dhe duket qartë që qyteti i Ballshit, në të cilin jetojnë rreth 15 mijë banorë, ka dalë në shitje. Ngado që shkon, shikon lajmërime për shitjen e lokaleve apo të shtëpive. Ndërsa rruga nacionale që e përshkonte përmes këtë qytet vazhdon të jetë e boshatisur ashtu si në gusht të vitit të kaluar, kur një grup i posaçëm i gazetës “Shqip” shkoi aty dhe vizitoi nga afër situatën. Atëherë kishin kaluar vetëm tri javë nga hapja e rrugës së re automobilistike, që e linte pas krahëve këtë qytet dhe tregtarët tregonin se kishte pasur një rënie të dukshme të shitjeve, prej rreth 20 për qind. Ndërsa tashmë, ata pohojnë se nuk kanë më kujt t’i shërbejnë dhe kanë nxjerrë në shitje bizneset apo shtëpitë e tyre.
Zbrazëtia
Qyteti i naftëtarëve, që dikur gëlonte nga urbanët që sillnin aty punëtorë nga e gjithë zona e Qarkut të Fierit, tashmë duket krejt i zbrazët. Makinat janë të rralla dhe qarkullojnë vetëm ato pak taksi që lidhin këtë qytet me Fierin, Komunën e Fratarit e fshatrat që ndodhen midis këtyre zonave përgjatë rrugës nacionale, që është tejet e amortizuar dhe vende-vende gati e pakalueshme. Te kryqëzimi i rrugës nacionale, me atë që të çon te Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës, gjen pak biznese të vogla, të cilat ende vazhdojnë punën e tyre. Në qendër të qytetit, disa kafene vazhdojnë të mirëpresin burrat dhe djemtë e këtij qyteti. Ndërsa në rrugët që përshkojnë lagjet e në periferi të qytetit gjen kafene të boshatisura, ku shikon pak të moshuar që kalojnë ditën, duke luajtur domino apo letra.

Shitjet

E ndërsa ecim, përgjatë rrugëve kryesore nga të gjitha anët shikon me dhjetëra lajmërime për shitjet e shtëpive e të lokaleve, të ngjitura në bare, pika të shitjeve të produkteve ushqimore e në qendra interneti, të cilat arrijnë të mbijetojnë duke qenë shërbime të domosdoshme. Gati të gjitha ndërtesat, të cilat ndodhen në të dyja anët e rrugës nacionale që kalon pranë tregut industrial, janë nxjerrë në shitje. Madje edhe vetë tregu industrial shitet dhe një tabelë e madhe në hyrje të tij lajmëron këdo që kalon. Pak metra më larg është nxjerrë në shitje një ndërtesë katërkatëshe, kati i parë i së cilës është një pikë shumice qindra metra katrorë e shitjes së materialeve të ndërtimit. Bëhet fjalë për godina e biznese që vlejnë gjysmë milioni euro apo edhe më shumë. Teksa tentojmë t’i pyesim pronarët e këtyre bizneseve nga më të fuqishmet në qytetin e Ballshit, marrim një përgjigje të shkurtër dhe të druajtur. “E kam nxjerrë në shitje tregun se nuk është më puna e parë. Krizë si kudo”, shprehet pronari i tregut, i cili nuk preferon të identifikohet me emër, por me mirësjellje na lejon të fotografojmë lajmërimin. Vëmë re se është e vështirë të gjesh një ujdi për të komunikuar me pronarët e tjerë të lokaleve e bizneseve të ndryshme, të cilët i kanë nxjerrë ato në shitje. Edhe pse mërzia është e qartë në fytyrat e tyre, duket se nuk duan ta besojnë këtë fakt. Nuk duan të besojnë se pronat dhe bizneset e tyre me të cilat kanë mbajtur familjet nuk u vlejnë më dhe duhet të shiten. Druhen që ajo që ata parashikuan menjëherë pas “lënies pas krahëve” është duke ndodhur.
Braktisja
Ndërsa kontaktojmë me banorë të ndryshëm mësojmë se mjaft banorë të Ballshit, të cilët kishin ardhur pak vite më parë nga fshatrat përreth, kanë nisur të rikthehen në vendlindjet e tyre. “Janë boshatisur tri pallate që ndodhen pranë drejtorisë arsimore. Prej disa vitesh, apartamentet e këtyre pallateve ishin blerë nga banorë të fshatit të Rromësit. Kishin tërhequr njëri-tjetrin dhe ishin mbledhur të gjithë aty. Por që kur është hapur rruga e re që kalon nga Levani, rreth 90 për qind e tyre u kthyen prapë në fshatin e Rromësit. U kthyen ngaqë u kalon superstrada afër dhe mund të shkojnë për pak minuta në Fier. Shtëpitë i kanë nxjerrë në shitje, por mesa di unë është vështirë t’i blejë njeri. U ka rënë vlera, por edhe me pak para nuk po blen më njeri. Që kur u hap rruga e re Ballshit ka nisur të zbrazet. Po ikin njerëzit, sepse e shikojnë që këtu nuk ka të ardhme”, u shpreh për gazetën Y.A., një banor i qytetit. Disa tregtarë të artikujve të elektroshtëpiakeve dhe të ndërtimit shprehen se shitjet kanë rënë me rreth 50 për qind. Ata sqarojnë se tashmë u mbeten si klientelë vetëm banorët e Ballshit dhe të pak fshatrave që nuk kanë lidhje me superstradën e re, siç janë Komuna e Aranitasit dhe periferitë e qytetit. “Ndërsa mjaft banorë të komunave të tjera preferojnë të shkojnë në Fier, pasi rruga e re është më e mirë dhe shkon më shpejt”, shtojnë ata.
Depresioni
Te të gjithë banorët duket qartë mërzia që i ka kapluar. Një pjesë e mirë me të cilët kontaktuam shprehen pesimistë për të ardhmen e këtij qyteti, që tashmë mbahet vetëm me shërbimet administrative që ofron si qendër e Rrethit të Mallakastrës. Ata theksojnë se vlera e këtij qyteti po bie çdo ditë, duke zhvlerësuar pronat dhe banesat e tyre. Ndërsa tremben të parashikojnë ditët, muajt e vitet që do vijnë, ajo që i lëndon më shumë ata, është ardhmëria e fëmijëve. Për shkak të mënjanimit të qytetit nga rruga nacionale, disa biznese janë mbyllur e të tjera po shkojnë drejt falimentimit, duke bërë që të zvogëlohen vendet e punës në sektorin privat, i cili është në krizë të thellë. Edhe privatizimi i sektorit të naftës ka bërë që mjaft ish-naftëtarë të kthehen në të papunë.
Njoftimet
Pas shmangies nga rruga e re, në shitje ka dalë tregu industrial dhe të tjera biznese të mesme e të mëdha që ndodhen anës rrugës nacionale
Intervista
Tregtari i ushqimores: 40% e banorëve blejnë ushqime duke shënuar emrin
“Shpresoj që Ballshi mos të katandiset si Çorovoda”
Ndonëse kontaktuam me dhjetëra biznesmenë që kishin nxjerrë në shitje pronat e tyre, ishte e vështirë të merrje deklarime rreth arsyeve, pasi u shmangeshin pyetjeve. Por një tregtar produktesh ushqimore, më në fund pranon të tregojë atë që po ndodh këto kohë me qytetin e Ballshit. Elton Malaj, i cili banon në një apartament në një prej pallateve pranë atyre të braktisur nga banorët e Rromësit, ka sqaruar për gazetën atë me çfarë ai haset përditë, krizën ekonomike dhe depresionin me të cilën jetojnë pjesa më e madhe e qytetarëve të Ballshit. Eltoni ka dhënë arsyet e tij edhe për fenomenin e braktisjes së qytetit pas shmangies nga rruga e re nacionale. Ndërsa bisedonim për situatën ekonomike në të cilën ndodhen qytetarët e Ballshit, ai na ka shfaqur fletoret me listat e gjata ku njerëzit shënojnë përkrah shumave të papaguara emrat e tyre.
Teksa kalon përgjatë rrugëve kryesore të qytetit të Ballshit, vërehen dhjetëra lajmërime për shitje të banesave, lokaleve e bizneseve të ndryshme. Ju si banor i këtij qyteti, por edhe si tregtar, si mendoni, kush është arsyeja?
Për mendimin tim, arsyeja kryesore për këtë braktisje që po i bëhet sot qytetit të Ballshit është devijimi i rrugës. Mjaft prej klientelës së bizneseve të mëdha dhe atyre të mesme, siç ishin pikat e shumicës së produkteve ushqimore dhe ato të materialeve të tyre, ishin të fshatrave të Mallakastrës. Por një pjesë e tyre, që prej hapjes së rrugës së re mund të shkojnë më shpejt në Fier se në Ballsh. Rruga e vjetër nacionale që kalon përmes qytetit tonë është mjaft e amortizuar dhe duhet më se një orë të mbërrish nga fshatrat e Mallakastrës së Sipërme. Kurse në Fier ata mund të shkojnë për gjysmë ore dhe mund të gjejnë llojshmëri më të madhe produktesh. Gjithashtu, mjaft banorë të fshatrave të luginës së Vjosës, të cilët kishin blerë shtëpi në Ballsh, tani janë kthyer në vendlindjet e tyre, pasi u kaloi pranë superstrada. Mendoj se kjo është arsyeja kryesore e nxjerrjes në shitje të mjaft shtëpive e lokaleve.
Kjo braktisje a ka ndikuar në të ardhurat e aktiviteteve private këtu në qytetin e Ballshit, po në biznesin tuaj?
Patjetër që ka ndikuar. Por unë mendoj se kriza e thellë ekonomike që ka prekur qytetin rëndohet nga disa faktorë. Shmangia e Ballshit nga superstrada është faktori i fundit që e ka çuar përtokë ekonominë tonë.
Cili është faktori tjetër sipas jush?
Tjetër faktor që ka çuar në rrënimin e ekonomisë së familjeve ballshiote është privatizimi i KPTHN-së. Më parë aty ishin të punësuar mijëra qytetarë të Ballshit. Kanë qenë më shumë se 600 familje që kanë pasur të punësuar aty dhe secila kishte të paktën dy persona që paguheshin nga sektori i naftës. Tani ka shumë pak të punësuar në uzinë. Po vijnë e po punojnë nga Puka, Shkodra, Lezha, Tepelena e Tirana, edhe pse nuk kanë kualifikimin e duhur ashtu si naftëtarët e Ballshit që kanë shërbyer aty për dekada me radhë. Edhe ata pak që janë të punësuar nuk marrin paga të mira, por ato më minimalet. Dua të përmend edhe një faktor tjetër që mendoj se po ndikon në krizën ekonomike dhe besoj se ndihet në të gjithë vendin, rënia e të ardhurave që vinin nga emigracioni. Kjo gjë ka bërë që të paktën për shumicën e qytetarëve të Ballshit të ketë pak shpresë për një të ardhme më të mirë.
Ju tregtoni produkte ushqimore, të cilat janë ato më të domosdoshmet për të mbijetuar. Keni vërejtur ndonjë ndryshim të shitjeve gjatë këtyre muajve?
Është shtuar numri i personave që blejnë me listë. Rreth 40% e klientëve që blejnë në dyqanin tim shënojnë emrin, pasi nuk kanë para të paguajnë. Kjo ndodh, sepse edhe ata pak që po punojnë në uzinë i marrin rrogat një herë në katër apo pesë muaj. Madje për disa familje, situata ekonomike është shumë e vështirë. Para pak ditësh një grua erdhi dhe pasi shënoi emrin përkrah shumës së produkteve ushqimore që mori, më kërkoi një hua prej tre mijë lekësh të reja, për të plotësuar shumën mujore që i nevojitet djalit për të ndjekur studimet e larta në Tiranë. Nëse shikon fletoret e kupton se ka mjaft klientë, të cilët detyrohen të marrin dy ose tri herë radhazi me të shënuar, pasi nuk kanë të paguajnë.
Ju si e parashikoni të ardhmen e qytetit të Ballshit?
Me këto ritme me të cilat po rrënohet ekonomia dhe me braktisjen masive që po ndodh, uroj të mos katandiset si qyteti i Memaliajit apo ai i Çorovodës. Tashmë edhe Ballshi ka mbetur i aneksuar si Çorovoda. E. Hoxhaj

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT