Athina: “Hiqni emërtimin: vendlindja Çamëri”

  • Takimi Panariti- Rokanas, zbardhet biseda mes Ministrit të Jashtëm dhe Ambasadorit grek në Tiranë. Kryediplomati shqiptar thërret ambasadorin e Greqisë pas kthimit të shqiptarëve nga dogana greke në Athinë, Kapshticë dhe Kakavijë 

Problemi i toponimeve në pasaportat e fëmijëve shqiptarë, që kanë lindur në shtetin grek, ka vënë në lëvizje Ministrinë e Punëve të Jashtme. Greqia i ka kërkuar Shqipërisë, nëpërmjet ambasadës së saj në Tiranë, të heqë nga pasaporta ‘vendlindja Çamëri’ për të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë lindur në qytetet dhe fshatrat çame që ndodhen në Greqi. Ministri i Jashtëm Edmond Panariti, ka thirrur në zyrën e tij Ambasadorin grek në Tiranë, Leonidas C. Rokanas, ku i ka kërkuar që shteti helen të mos kthejë më shqiptarët nëpër dogana dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, sa i përket referencave në gjuhën shqipe që bëhen në pasaportën biometrike. Burime brenda Ministrisë së Jashtme dhe Ambasadës greke në Tiranë, bëjnë me dije se, ambasadori grek Leonidas C. Rokanas, i ka kërkuar ministrit Panariti që shteti shqiptar të vendosë në gjuhën angleze referencën e vendlindjes që shkruhet në shqip dhe të shënohet vendi i banimit sipas hartës toponimike ndërkombëtare, ku emrat e qyteteve dhe fshatrave grek të citohen sipas hartës botërore të toponomive dhe jo sipas emërtimeve të tyre në shqip. Mësohet se, kërkesa e Ambasadorit Rokanas është marrë parasysh nga ministri Panariti, i cili është shprehur se, “qeveria shqiptare ka paraqitur tashmë një propozim për zgjidhjen e kësaj çështjeje, bazuar në praktikat ndërkombëtare dhe mbetet e hapur për dialog në mënyrë që ky problem të adresohet sa më shpejt dhe në mënyrë përfundimtare’, tha ministri. Ambasadori grek ka pasur dhe një kërkesë të dytë, sa i përket çështjeve teknike të pasaportës biometrike, sipas burimeve brenda ambasadës bëhet e ditur se, Rokanas i ka kërkuar Panaritit që të hiqet nga pasaporta biometrike referenca, vendlindja “Çamëri”, pasi sipas tij nuk ka emërtim toponimik në hartën e Greqisë me emrin Çamëri, por emra qytetesh dhe fshatrash të kësaj treve. Sipas Rokanas, nuk mund të referohet vendlindja Çamëri, por emri i qytetit dhe i fshatit ku ka lindur, si Margarit, Prevez, Pargë etj. Mësohet se, ambasadori grek ka shkuar dhe më tej sa i përket këtij propozimi duke i thënë kryediplomatit Panariti se, “në fakt nuk ka emërtim toponimik Çamëri pasi është njësoj si ne në pasaportat greke për minoritetin në Shqipëri ta bëjmë vendlindja ‘Vorio Epir’”, citojnë burime pranë Ministrisë së Jashtme. Kërkesa e dytë e palës greke nuk është pranuar në këtë fazë pasi, sipas burimeve brenda Ministrisë së Jashtme, nuk është e mundur që të arrihet në Shqipëri tani për tani një konsensus i gjerë për të ndryshuar këtë referencë. Në aspektin publik, zyra e shtypit në Ministrinë e Jashtme bën me dije se ministri Edmond Panariti theksoi nevojën që çështja e toponimeve të zgjidhet sa më shpejt. Dy bashkëbiseduesit ranë dakord që të intensifikohen negociatat për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes takimeve mes grupeve të punës të ngritura në vendet respektive. Gjithashtu, ministri Panariti kërkoi që të publikohet një informacion zyrtar rreth interpretimit të ‘Kodit Shengen’ nga autoritetet kufitare greke, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë një udhëzim të qartë për përllogaritjen e afateve të hyrje-daljeve në shtetin grek, duke shmangur kështu penalizmin e tyre në pikat e kalimit kufitar. Ministri Panariti dhe ambasadori Rokanas shprehën vullnetin e ndërsjellë për të zgjidhur pa vonesa çështjet teknike që janë në interes të qytetarëve. Ditë më parë 14 gra e fëmijë u kthyen në atdhe pasi në pasaportat e fëmijëve të tyre të lindur në shtetin helen, “Greqia” shkruhej shqip e jo anglisht. Policia greke u ka shpjeguar se, pas mosarritjes së marrëveshjes me palën shqiptare, urdhri për të mos njohur këto pasaporta mbetet prapë në fuqi. 

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT