Arkipeshkopi i Athinës mbështeti masakrën e Peshkëpisë, ja pasuria marramendëse që iu gjend në banesë pas vdekjes
Nga Pranvera DOKO
Para se të përmend dhe citoj pasurinë përrallore të gjetur në banesën e arkipeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë, Hristodhulos, e quaj me vend të bëj të ditur, përmbledhur shkurtimisht aq sa mund të bëhet një gjë e tillë, se kush ishte kjo figurë “populiste” që së bashku me disa politikanë, që në prag të pensionit bëjnë dasma përrallore në hotelet më të shtrenjta të Parisit, që do t’i kishin zili edhe vetë francezët, apo disa të tjerë që zotërojnë nga 56 vila superluksoze, me llogari bankare marramendëse jashtë vendit – kategori që “bëri zap” e nxori piramidë xhepat e qytetarëve si dhe arkën e shtetit grek, madje u bë dhimbje koke për të gjithë Bashkimin Europian. Sa për ne shqiptarët, nuk ka rreziqe të tilla sepse ne nuk kemi arritur ende të kthejmë pronat as të qytetarëve, pa le më të Komunitetit Musliman. Ato na i mban të kyçura Kongresi i Përmetit dhe inisiativa e 6 shkurtit në sepetet e të Katovicës. Madje ende nuk u sigurua nga gjithë ato prona të vakëfit shqiptar as, një copë truall për të ndërtuar një xhami qendrore shumë të premtuar edhe nëpër fushata elektorale. Lavdi Zotit që ia dolëm mbanë të shkëpusim, me shumë vështirësi e ngjeshur atje mu në fytin e Ministrisë së Mbrojtjes mezi ia dolëm të ndërtojmë selinë e Katedrales. Dhe mirë janë, atje ruhen më të sigurta, se nuk i dihet çfarë ndodh po t’i kemi ne shqiptarët, na ikin nga duart, gjë e provuar edhe nga amaneti e trashëgimia modeste që na la themeluesi i Kishës Autoqefale, Fan Noli: Autoqefalia dhe përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe, por që të dyja, bashkë edhe me shumë gjëra të tjera që nuk po i përmend se dikush mërzitet e dikush vreroset, i bëmë bedel dhe kurban në demokraci me shkëmbim integrimin ne Bashkimin Europian aty nga fundi i shekullit…
Kush është kryepeshkopi i Greqisë
Po le të kthehemi tek kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Hristodhulo, i cili ndërroi jetë në janar 2008. Ai erdhi në krye të kishës greke në vitin 1998, me shumicë dërrmuese nga anëtarët e tjerë të Sinodit të Shenjtë. I lindur në qytetin e Ksanthit në vitin 1939, nga prind të lindur në Adrianopojë e të ardhur në Ksanthi sipas marrëveshjes se Lozanës së vitit 1923, midis Greqisë e Turqisë për shkëmbimin e popullsisë ortodokse e myslimane midis të dy vendeve, ai u arsimua në Fakultetin e Drejtësisë në Athinë, me rezultate të shkëlqyera, në Fakultetin e Teologjisë, gjithashtu me rezultate të shkëlqyera, studioi Muzikë Bizantine – kishtare – në Operën e Athinës, mësoi gjuhën angleze dhe frënge me rezultate të shkëlqyera si dhe ishte njohës shumë i mirë i gjuhës italiane dhe asaj gjermane. Si potencial intelektual u vlerësua dhe u zgjodh lektor nderi i Universitetit të Krajovës – Poloni, Jasionës – Rumani, Lateranës etj…, ndërkohë u mor me shkrime dhe redaktimin e shtypit fetar dhe ngritjen e disa fondacioneve bamirëse. Në vitin 1987 përfaqësoi Sinodin e Shenjtë në debatin me Ministrinë e Arsimit dhe Feve, ku edhe argumentoi pikpamjen e Kishës për pasuritë e saj. Gjithashtu përfaqësoi Sinodin e Shenjtë në Këshillin Kombëtar të Transplanteve dhe Qendrën e Kontrollit të Infeksioneve të Veçanta. Si kryepeshkop themeloi 14 komisione të veçanta, ngriti zyrë përfaqësimi në Bashkimin Europian, në Këshillin e Europës, Unesko, komision të veçantë sinodik për Çështjet e Europës. Bëri përpjekje për afrimin e brezit të ri me kishën ku u bë i famshëm me vizitat e tij klasë më klasë e shkollë më shkollë dhe u vetëquajt “Hristodulua juaj”; i ftoi të rinjtë të shkonin në kishë edhe me vathë, xhinse e minifunde. Personi i tij u lidh me përplasjen dhe çarjen e madhe të Kishës me Institucionet e Shtetit që shpërtheu në vitin 2000 në lidhje me shkrimin e besimit fetar në dokumentin identifikues individual të shtetasve grekë, gjë që bie në kundërshtim flagrant me Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave Private të qytetarëve; përplasja rezultoi me vendimin e Institucioneve për shmangien e Kishës nga veprimtaria shtetërore. Si kundërshtim të saj, Sinodi organizoi një referendum me 3 milionë nënshkrime, por të pa marra në konsideratë nga Presidenca. Megjithëse u mundua të shitej si moderator, jo të pakta ishin rastet ku ai ngrinte “opinionin publik” sa herë që Greqisë i duhej të përkrahte e zbatonte nismat dhe praktikat europiane për një gjithëpërfshirje në strukturat e saj. U bë proverbial me JO-të e tij të famshme si: jo pasaportës elektronike, jo Greqia në Mastriht, jo në Shengen, jo Turqisë në BE, jo Shqipërisë në BE, jo Maqedonisë në BE, jo ligjërimit të emigrantëve, jo vizitës së Papës së Vatikanit në Greqi, jo, jo, jo…
Por megjithatë, me rezistencën e forcave progresive, shumë nga JO – të e tij u kapërcyen dhe midis të tjerash, me ftesën e presidentit Stefanopullo, në vitin 2001, jo vetëm që Papa vizitoi Greqinë, por në gjuhën greke, kërkoi botërisht falje për krimet e Kishës Katolike ndaj ortodoksëve, duke iu referuar vitit 1204 të ndarjes së Perandorisë Bizantine në atë të Lindjes dhe të Perëndimit, gjë që u konsiderua nga Hristodulo si fitorja më e madhe e elenizmës qysh nga viti 480. Në periudhën e Juntës 1967 – 1974, Kisha greke nuk u distancua nga krimet e kolonelëve ndaj qytetarëve, e veçanërisht ndaj komunistëve, të cilët më tepër se çdo shtresë e popullsisë, mbajtën faturën e aventurës së Papadhopullëve. Hristodhulo, si sekretar i Sinodit të Shenjtë, mohonte të kishte dijeni për burgosjet dhe internimet e tyre, në një kohë që Këshilli Ndërkombëtar i Kishave denonconte dhe protestonte botërisht, madje këto shkrime, së pari binin në dorën e tij dhe pastaj i dorëzoheshin Arkipeshkopit Jeronim, ndërkohë, luftëtarja e paepur kundër Juntës, gruaja burrërore me tiparet e arvanitases së lashtë, Melina Merkuri, e lejuar të vinte vetëm 5 orë nga dëbimi i saj jashtë Greqisë për të varrosur të ëmën, e gjeti mundësinë në sheshin qendror të Athinës, në Sintagma, jo më shumë se 200m larg Metropolisë, i rrëmbeu mikrofonin nga dora oficerit monako-fashist që e shoqëronte dhe e ktheu manifestimin në apel ndërkombëtar për të ndihmuar në rrëzimin e saj.
Përplasje të mëdha për qëndrimet e tij fashiste, jo pak herë ka pasur Arkipeshkopi edhe me mediat dhe me partitë politike të vendit. Kur udhëheqësi i “Koalicionit të Majtë”, Alavanos, kërkoi dorëheqjen e tij nga posti i Arkipeshkopit, ai pa asnjë hezitim e quajti “Deoklicianët e rinj” atë dhe gjithë ata që kërkuan ndarjen e kishës nga shteti.
Kisha greke, e lidhur me fashistë ekstremistë të djathtë
Një lidhje të veçantë kishte kreu i Kishës greke me elementët më fashistë të qarqeve të ekstremit të djathtë e veçanërisht me të përjavshmen nazisto-shoviniste “STOHOS”, e ndaluar prej 20 vjetësh të hyjë në Kanada e në vende të tjera demokratike, e mbyllur dhe e rihapur vitet e krizës në Greqi si frymëzuese e së djathtës naziste, organizatore dhe avokate e organizatës terroriste – MAVI – Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut, për krimet dhe masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994, flakëndezësen dhe strategen e “Revolucionit” dhe djegësen e Shqipërisë së Jugut në vitin 1997. Përpara se të merrte këtë detyrë “të shenjtë”, kjo gazetë e cilësonte Kryepeshkopin si mashtrues, gënjeshtar, arrivist, i pleksur në skandale, Kali i Trojës i Kombit etj dhe menjëherë pas misionit, u bënë solidarë në “qëllimet madhore”. Gazeta ndërmerr fushatën e egër me shpatë e me fjalë, si një komisar i zi për zgjedhjen e metropolitit, në krye të Kishës Greke. Gjithë politika dhe shtypi grek, denoncuan masakrën e Peshkëpisë dhe i bënë apel shtetit për dënimin e fajtorëve në këtë krim makabër që e diskreditoi shtetin dhe drejtësinë greke në arenën ndërkombëtare, me një gjyq parodi, duke i akuzuar e dënuar kriminelët shovinistë për trafik armësh e me dënime qesharake. Një nga gazetat më prestigjioze – Elefterotipia e datës 19.9.1998, duke u distancuar nga krimi, do të shprehej se u zgjidh edhe gjëza mister e pajtimit të tyre. Atëherë “Stohos” e quajti vepër kombëtare, kurse njeriu që kujdeset për pastrimin e shpirtrave, në volumin e korrik – gushtit 1995, shprehet se nuk do të arrijmë deri atje sa të dorëzojmë shpirtrat grekë në duart e shqiptarëve, këta kurbanë në altarin e rregullimit të marrëdhënieve greko – shqiptare, pas provokimeve të regjimit të Berishës, dhe në fund të fundit, janë grekë dhe duhet të mbulohen. “Elefterotipia”, thekson se ky udhëheqës shpirtëror, jo vetëm që birëson krimin me gjakftohtësi ndaj njerëzve të pafajshëm e të paarmatosur, në vendin e tyre, në tokën e tyre, në kohë paqeje, por merr përsipër edhe mbulimin e makabritetit.
Skandalet e 2005
Në vitin 2005, shpërthyen skandalet tronditëse në gjirin e kishës greke dhe të Jeruzalemit ku drejtuesit e saj ishin po grekë. U përvetësuan shuma të pallogaritshme e përrallore, ashtu edhe ne atë morale, ku sodomizimi i klerit të lartë, u pasqyrua në mediat e vendit dhe ato ndërkombëtare dhe pishtari i këtyre dukurive kush mund të ishte tjetër veç kreut. Kjo situatë e rëndë e vuri në vështirësi jetike reputacionin dhe vetë ekzistencën e kishës, por nuk pengoi kreun e saj të vazhdonte bëmat me të cilat doli plotësisht zbuluar mbas vdekjes, të cilat as uji i Zerzemit nuk besoj se do t’ia pastrojë, dhe nuk do gjendet as sapun i tipit “Ledi Makbeth” t’ia lajë duart nga krimet, sepse siç thotë aktori i famshëm Alpaçino – gjithmonë gjendet një laps për të shkruar të ardhmen, por kurrë një gomë për të fshirë të kaluarën.
Ky ishte dhe i vetëquajturi “Hristodhulua i tyre”. Kush ka mall për të mund ta shuajë duke blerë do të enjte gazetën”STOHOS” të riatdhesuar së bashku me krizën. E ka në krye të faqes së parë së bashku me thirrjen: “Dhe mos harroni grekë, se kryeqyteti i Greqisë është Kostandinopoja”! Por që ai të mbetet i paharruar, i përjetshëm në kujtesën e “shpirtrave grekë”, madje edhe i veçantë në llojin e tij, pa u merakosur për udhëtimin e tij drejt parajsës, le të hedhi një vështrim në shtypin grek të datës 27 korrik 2008, se jo vetëm që pasuron njohuritë enciklopedike e financiare, por ndofta gjen edhe ndonjë këshillë të vlefshme nga mënyra modeste e jetesës së udhëheqësit shpirtëror grek, e pse jo, edhe ndonjë zgjidhje efikase për daljen nga kriza kombëtare e shkaktuar për fajin e kujtdo tjetër, por jo prej fqinjëve të tyre. Konkretisht, ja çfarë publikon shtypi i asaj dite:
Ç’vulosën dhomën e veçantë të vulosur të arkipeshkopit në PALEO PSIKIKO dhe gjetën shumë sende me vlerë shumë të madhe monetare. I regjistroi komisioni i përbërë nga autoritetet gjyqësore, drejtori i policisë, përfaqësuesi i financës, një noter, komisioneri kishtar Thoma Hrisikos, ish komisioneri kishtar Thoma Sinodhinos, shumë i njohuri Teoklit Kumariano, i njohuri i Brestenës dhe dy dhjakë të Hristodhulos. Sendet që u regjistruan gjendeshin, si në dhomën e veçantë ashtu edhe në Sallën e Ceremonive dhe në pjesën tjetër të pallatit mbretëror ku ai banonte në një nga lagjet më luksoze të Athinës. Vetëm çikërrimat e përdorimit të përditshëm e kalonin shumën prej 1 milion euro. Po radhisim disa, më karakteristiket prej atyre që u regjistruan:
– 600 palë mbërthesa – butona për mëngët e këmishës ar dhe argjend, prej të cilave 140 kanë diamante dhe të tjerat zafire.
– Më tepër se 100 stilografë dhe stilolapsa ari të vlerave të pallogaritshme.
– Sasi të mëdha kryqe pagëzimi me gurë të çmuar.
– Shumë ikona të lashta me vlerë përrallore.
– 30 mijë euro dhe 9 lira ari për z. Thoma Sinodhino.
– Një abazhur të firmës Baçarat jashtëzakonisht i çmuar me vlerë 50 mijë euro i firmës më të mirë të kohës.
– Kanape dhe kolltukë sallonesh, dhomash dhe studiosh nga dy firmat më të kushtueshme – Versaçe dhe Armani.
– Perde mëndafshi shumë të çmuara, nga firmat më të kushtueshme dhe më të mirat nga çdo pallat tjetër.
– Qindra këmishë të bardha, më të shumtat të mëndafshta.
– Qindra palë pantallona të zeza.
– Qindra palë këpucë, të gjitha nga dy firmat më të kushtueshme të botës – Sebago dhe Church, vetëm nga ato qe veshin princat, lordët dhe aristokratët e tjerë të Londrës. Ai vishte vetëm të tilla këpucë ku secila palë kushtonte mbi 1 mijë euro. Kur u përmbys regjimi diktatorial i Markos në Filipine, të shoqes iu gjetën 80 palë këpucë të kushtueshme, por të zakonshme.
– 30 komplete veshjesh despotike të përdorimit të përditshëm.
– 50 veshje uniforme zyrtare të kryeklerikut, mesatarisht 300 mijë euro secila prej tyre.
– 12 kapuçë – kokore prej ari dhe gurë të çmuar diamanti me vlerë mesatare secila prej 300 mijë euro.
– 100 libra – manualë të artë dhe të mbushur me gurë diamanti dhe zafiri me vlere 100 mijë euro secila.
– 200 kryqe manualë me të njëjtat zbukurime dhe të së njëjtës vlerë secili.
– 25 bastunë- paterica ari, argjendi dhe fildishi të mbushur me gurë të çmuar, kryesisht diamante dhe rubinë, mesatarisht 100 mijë euro secili.
– 40 bastunë të zakonshëm me gurë gjysmë të çmuar me vlerë 20 mijë euro secila.
– Dy tabaka – disk super të çmuara, të skalitura, punim artistik, njëra dhuratë nga Bartolomeu – kryepeshkopi i Stambollit – Fanarit, tjetra nga Papa i Romës, Benedikti.
– Dhjetra mbajtëse qirinjsh ari dhe argjendi.
– Dhjetra mbajtëse qirinjsh ari dhe argjendi me gurë të çmuar.
– Qindra setë dymbëdhjetësh, gota argjendi dhe kristali të cilësisë më të lartë dhe shumë të kushtueshme.
– Dhjetra frutiere argjendi.
– Qindra servicio argjendi, ari dhe kristali, me vlera të pallogaritshme.
– Qindra setë dymbëdhjetëcopësh lugë, pirunë, thika të firmës Christofie, që është më e shtrenjta në botë.
– Qindra setë pjatash porcelani.
– Qindra pjatanca porcelani dhe argjendi.
– Perde të rënda e të kushtueshme mëndafshi në të gjithë pallatin mbretëror.
– Qindra palë pizhame mëndafshi.
– Dhjetra këllëfë dysheku dhe nënkrese të mëndafshta.
– Katër piktura të vlerave përrallore – pronë e muzeut Benaki që iu a jepte me qera mujore muzeve të ndryshme e barabartë me qeranë mujore të tre apartamenteve të mëdha luksoze që përfshijnë një kat të tërë.
– Gjashtë gravura nga i njëjti muze me qera shumë të larta.
– Shumë mobilie jashtëzakonisht të shtrenjta nga dru, stof, metal dhe qelq shumë të kushtueshëm, të punuara nga katër firmat më të mira të botës.
– Projektet arkitekturore dhe dy vila – pallat mbretëror për vehten e tij, për tu çlodhur që do të ndërtoheshin në sipërfaqe trojesh jashtëzakonisht të mëdha me vlera të jashtëzakonshme, një në Ermionadhë dhe tjetra në Shën Joan Theologu – Korinthi, në vendvendosjet më të bukura.
Një shumë tmerrësisht e madhe – shumë milionëshe euro për të ndërtuar muze të veçantë me emërtimin “Kryepeshkopi Hristodhulo” që të ruhen në vende publike, dukshëm, uniformat, kapuçët, patericat dhe të gjitha sendet funksionale dhe jo funksionale të tij, si dhe stolitë e çmuara në shekuj të shekujve, të gjitha së bashku, përfshirë edhe shpenzimet për mirëmbajtjen dhe kujdesin e muzeut dhe të sendeve në fjalë, si edhe pagën e punonjësve të muzeut.
…edhe një portokalladhë e tharë në gotë, mbi tavolinën e punës, të cilën nuk arriti ta pijë sepse …vdiq.. .Kishte brenda edhe thithësin.
Në Greqi nuk ka president ose kryeministër, as aktual e as të kaluar, as industrialist ose pronarë të mëdhenj anijesh që të ketë të tilla pajisje shtëpiake, të tilla veshje, këpucë dhe stoli.
Nuk është i pari Hristodhulo, vetëm i treti; dy më të pasurit se ai janë mbretëresha e Anglisë dhe sulltani i Borneos. Llogaritet edhe diktatori i Rumanisë, Çaushesku, por tani nuk numërohet në radhë, pasi ka vdekur.
Njerëz të Hristodhulos thonë se kishte edhe 7 milionë euro në kasafortën e tij gjatë orëve të fundit për nevojat e përditshme si blerje të vogla etj… dhe këto ndodheshin në portofolin e përkohshëm për shpenzime xhepi. Heshtet plotësisht se ku gjenden depozitat e tij kryesore, investimet, aksionet, pasuritë e patundshme, brenda vendit apo jashtë. Do thotë dikush, gojët e këqija: “Çfarë i duheshin të gjitha këto Arkipeshkopit¬”¬. Si nuk mendojnë vulgarët dhe të pamendtë se ai të gjitha këto i kurseu për të prerë biletën për në parajsë!!!
Të krishterët e ndershëm duhet të jetojnë me ekonomi të shtrënguar dhe mend në kokë që të hedhin në tabakanë e Kishës shuma sa më të mëdha sepse është krim që një arkipeshkop të mos mund të grumbullojë shuma të tilla që do të duhen për të prerë biletën e parajsës së Hristodhulove.
Ky ishte “Hristodhulua juaj”, sikurse kishte thënë dikur ai vetë…
Marrë nga gazeta “IERA PARAKATATHIKI” – Trashëgimia e Shenjtë, datë 27 Shtator 2008
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.