Rikthimi i detarëve shqiptarë në atdhe, detyrim ligjor apo hedhje goglash fati?!

Nga Dorian Mersini

Si rrjedhojë e ndalimit progresiv të anijeve tregtare pasagjere, për shkak të situatës së Covid-19, shumë detarë të punësuar në bordin e tyre (rreth 250.000 individë, përfshirë ata shqiptarë) janë gjendur të bllokuar në portet e ndryshme të botës.

Duke pas parasysh këtë situatë të pazakontë, kemi “fatin”, që vendi ynë ka një numër të vogël detarësh krahasuar me vendet e tjera, ku ky problem është shndërruar në një situatë ankthi kolektiv për familjet e tyre.

Por prapë se prapë numri i detarëve tanë rreth 1000 persona në kushte pune, është një shifër që meriton përgjigje dhe një strategji të qartë veprimi, referuar këtu edhe fjalës së mbajtur nga Sekretari Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare IMO, Mr. Kitack Lim ku i kërkohet të gjithë shteteve anëtare të marrin masa të menjëhershme, për lejimin e qarkullimit të detarëve, me qëllim mirëfunksionimin e transportit detar.

Janë të shumtë detarët shqiptarë që kërkojnë aktualisht të riatdhesohen dhe për këtë fakt ambasadat tona kanë marrë njoftim në kohë. Sipas komunikimeve me shumicën prej tyre, një pjesë gjenden të ndaluar në bordin e anijeve ku punonin. Disa gjenden në karantinë në struktura shëndetësore të improvizuara. Ndërsa një pjesë tjetër, ajo më fatkeqe, gjenden në aeroporte ende në pritje të një vendimi gjithëpërfshirës nga Qeveria Shqiptare, se çfarë do të bëhet me rikthimin e tyre në shtëpi.

Av. Dorian Mersini

Ngushëllimi i momentit për ata më fatlumët, është fakti që punojnë pranë kompanive të mëdha serioze. Këto kompani u kanë ofruar fjetje dhe ushqim edhe pse anijet janë të ndaluara dhe personeli nuk gjendet në kushte pune. Ndërkohë kolegët e tyre të huaj, janë kontaktuar nga ambasadat e shteteve të origjinës dhe në shumicën e rasteve, janë shoqëruar nga personeli i ambasadës nga anijet ose vendet ku ndodheshin deri në aeroport, për t’u imbarkuar në linjat ajrore të shpëtimit.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të para disa ditëve, zhvilluar nga Presidenti i Republikës me të gjithë institucionet më të larta në vend, ku u diskutua ndër të tjera, për detyrimin kushtetues mbi rikthimin e shtetasve shqiptar në atdhe, u ndez një dritë shprese dhe për detarët tanë.

Menjëherë pas kësaj mbledhje Kryeministri premtoi lajmin e shumëpritur: “i takon Lasgushit të Air Albania të sjellë njerëzit tanë në shtëpi pa pagesë”. Gjithashtu u bë e ditur dhe procedura për të kontaktuar ambasadat Shqiptare, ku u ofruan numrat e emergjencës, me qëllim regjistrimin dhe grumbullimin e shtetasve, drejt aeroporteve ku do të organizoheshin më pas fluturimet e shpëtimit.

Të gjithë detarët shqiptarë që presin të riatdhesohen, kontaktuan për të disatën herë ambasadat tona për t’u njohur me procedurën e kthimit. Ata pak prej tyre që kanë pasur fatin të komunikojnë me përfaqësuesit tanë diplomatikë, u është thënë se ende nuk ka një plan të qartë se si do të realizohet përzgjedhja e personave që do të fitojnë këtë udhëtim shpëtimi.

Kuptohet qartë që Shqipëria është një vend i varfër dhe nuk mund t’i kërkohet qeverisë të organizojë udhëtime falas për të gjithë shtetasit, edhe kur bëhet fjalë për ato të shpëtimit. Detarët tanë që gjenden jashtë kufijve nuk kanë kërkuar të udhëtojnë falas, pasi bileta e tyre e udhëtimit mbulohet gjithnjë nga kompania ku punojnë. Kërkojnë veç t’u lejohet të kthehen pranë familjeve të tyre.

Ata që gjenden në Itali janë të gatshëm të riatdhesohen edhe nëpërmjet linjave të trageteve që mundësojnë transportin e mallrave.  Siç ndodhi sëfundmi me imbarkimin e personave që ndodheshin të bllokuar në portin e Barit dhe që u lejua të udhëtonin drejt Shqipërisë.

Është e qartë për të gjithë shqiptarët çka trumbetohet ne media çdo ditë, se jemi në kushte lufte dhe duhet të bëjmë durim duke qëndruar në shtëpi që kjo gjendje të kalojë me sa më pak humbje. Por si mund t’u kërkojmë durim shtetasve tanë që ndodhen rrugëve të botës pa mundësi financiare dhe të synojmë mirëkuptim, në një situatë kur detyrimi ligjor për riatdhesimin e tyre, po shndërrohet dita ditës në një çështje goglash fati: Ku fjala e fituesve reklamohet, ndërsa ajo e humbësve censurohet.

*****

Botuar në DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT