Reportazh/ Nxënësit që “lypin” për të blerë koshat e mbeturinave

—–Nga Nensi Sinani*—-

“Përshëndetje! Keni pak kohë, ju lutem? Ne jemi nxënës të klasave të projektit gjerman të gjimnazit “Sami Frashëri”. Po të keni mirësinë të na dëgjoni dy minuta, mund t’ju shpjegojmë një nismë shumë të thjeshtë dhe vullnetare. Ajo çfarë duam të bëjmë është t’u japim një mundësi klasave të tjera të plotësojnë diçka që u mungon.

Titulli i projektit tonë është “Riciklimi”. Duke qenë pjesë e projektit gjerman, kemi përfituar disa avantazhe në pajisje që klasat e tjera nuk i kanë. Për shembull, ne kemi kosha të ndarë për tri kategoritë e mbetjeve, që respektohet nga të gjithë ne. Por, duke mos pasur buxhet, pjesa tjetër nuk e ka këtë mundësi dhe ngjan sikur shkolla është e ndarë në dy pjesë: njëra ekologjike dhe tjetra joekologjike. Prandaj kemi ndërtuar këtë pemë me shishe plastike, për t’ju ftuar të çmoni mendimin tonë dhe të kontribuoni, nëse keni vlerësim, me aq sa keni mundësi, sigurisht në shifra modeste, për të tejkaluar këtë dallim”.

Ky ishte fillimi i çdo bisede me kalimtarët e rastit këtë të shtunë dhe të diel në të hyrë të rrugës së re “Pedonalja“. Nxënësit e projektit gjerman dhe pedagogët e tyre qendruan me orë të tëra në kërkim të mbështetjes vullnetare, duke biseduar me plot dëshirë me kalimtarët e rastit mbi projektin e tyre. “Përmendorja“ me shishe plastike në formën e një shisheje të madhe plastike tërhiqte vëmendjen e tyre duke treguar qëllimin ekologjik të nismës. Të shumtë ishin ata që ndalonin dhe kërkonin të dinin më shumë se sa lexonin në fletëpalosjet e thjeshta. Të tjerë afroheshin dhe kërkonin të bënin foto. Më të shumtit falënderonin nxënësit për idenë, për përpjekjen që të mos ketë dallim, për solidaritetin. Ata që qendronin deri në fund zakonisht jepnin një kontribut në “arkën” e koshave. Disa pyesnin se çfarë quanin ne “kontribut modest”.

Të tjerë premtonin se, pasi të kishin bërë një xhiro deri në fund të rrugës, do të ktheheshin e do të dhuronin diçka. Kishte nga ata që mendonin se ishim lypës. Nuk mungonin edhe “protestuesit”: “S’na del për vete, jo më për ju!“. Pastaj ironizuesit: “Po kisha njëqind lekë do të kisha hapur një dyqan“. Por episodi më i papritur ndodhi me një djalë të vogël që ishte ulur në trotuar dhe lutej “M’jep ndoj lek, jam pa buk gjith ditën“. Ai erdhi dhe na kërkoi një gotë ujë dhe ne ia dhamë. Pastaj ai nxori katër qind lekë të vjetra dhe i hodhi në arkë. Ne i thamë të nënshkruante, por ai u largua pa fjalë; ndoshta nuk dinte të shkruante.

Puna filloi të shtunën në orën 11 paradite. Pasi u mblodhëm, fillimisht u morëm me përshtatjen e mjedisit, në vendin ku na ishte dhënë leja nga bashkia. Vizitorët e parë qenë tre turistë nga Shtetet e Bashkuara, të cilët u habitën kur kuptuan se kjo nismë ishte propozuar thjesht nga një grup nxënësish. Prej tyre mësuam se në SHBA vullnetarizmin e vlerësojnë shumë. Kjo u duk prej pyetjeve të shumta dyshimtare: në fillim ata nuk po na besonin, na shihnin në sy dhe përsëritnin: “Did you really do this‚ hoë is this possible, you guys look so young!”. Ne gëzoheshim edhe prej këtyre fjalëve, sepse është bukur kur dikush fiton simpati për atë çfarë ka bërë vetë. Më pas u njohëm me dy zonja që vinin nga Bosnja. Ato nuk hezituan për të kontribuar që në çastin që përmendëm fjalën “riciklim”. Por edhe ato kishin një problem: ishin ngatërruar nëpër kryeqytet dhe nuk gjenin dot rrugën ku duhej të ishin, prandaj na duhej t’i ndihmonim. Menduam se zgjidhja mund të ishte t‘i shoqëronim deri tek një librari e afërme për të blerë një hartë të Tiranës. Kjo sepse, kur pyesnim më të rriturit, ata na thoshin: “Shkoni drejt, kthehu tek bërryli, merr nga xhamllëku, rrotullohu te porcelani dhe zëre se ke arritur”.

Na bëri përshtypje mirënjohja që treguan zonjat. Menjëherë na shkruan adresat elektronike dhe na propozuan të shkëmbejmë ide, sepse edhe ato kishin lidhje profesionale me disa shkolla gjermane në Bosnjë. Ndër vizitorët më mbresëlënës qe një çift të rinjsh nga Kosova, të cilët, megjithëse duhej të niseshin për udhëtim brenda një gjysmë ore, treguan interes për punën tonë duke na drejtuar shumë pyetje.

Gjatë dy ditëve u përpoqëm të komunikojmë me çdo kalimtar, me të gjitha mënyrat që dinim. Qoftë edhe me fjalë të gjuhëve të tyre amtare, të mësuara në mënyrë rastësore: “Arigato!”, “Hvala vam”, “Efharisto poli”. Erdhën dhe na vizituan francezë, amerikanë, anglezë, bullgarë, boshnjakë, italianë dhe natyrisht shqiptarë. Në çdo moment ishim në lëvizje, edhe pse kishte raste kur pamja e jashtme e kalimtarëve, shikimet e tyre, na bënin të hezitonim. Dhe me mendje pyesnim: po ata që lypin për të nxjerrë jetesën, si mund të ndihen? Ne vërtet donim të bindnim kalimtarët për dobinë e nismës, por pa u bërë pengesë për ta që të realizonin qëllimet pse ishin në ecje, pa i bezdisur. E, megjithatë, shpesh në sytë e tyre lexonim nxitim ose mungesë dëshire.

Për të rritur besimin me qytetarët, krijuam një mënyrë kontrolli për kontributet e tyre; ndërsa dhuronin kontributin e tyre, në një regjistër të thjeshtë nënshkruante duke shenjuar shumën (kjo e fundit ishte vullnetare). Por dhuruesi mund të hidhte firmën e vet dhe në një pllakat. Kjo ishte e bukur, sepse u jepte mundësi njerëzve ta linin nënshkrimin me shkronja të mëdha. Në fund, kur i numëruam, vumë re se ishin mbledhur më shumë se 150 firma.

Pasdite vendosëm të ndryshonim diçka. Për ta zbutur tërheqjen e vëmendjes, një nga djemtë e grupit të nismëtarëve filloi të luante motive të thjeshta me kitarë. Kjo bëri që jo vetëm të rriturit, por dhe shumë moshatarë të shkollave të tjera të shprehnin dëshirën që të bashkoheshin me ne, të na ndihmonin.

Mësuesja e gjermanishtes Anisa Rexha, së bashku me mësuesit gjermanë: H. Zeller, M. Born dhe Thomas, qendruan me ne gjithë kohën. Kështu, grupi ynë prej 15 vetash, u bë më paraqitës. Kjo nismë na ndihmoi jo vetëm për të siguruar aq para sa duheshin për të blerë koshat e klasifikuar për gjithë shkollën “Sami Frashëri”, por dhe për të provuar veten si të punojmë në skuadër dhe mbi të gjitha për të vërtetuar se mund t’ia dilnim të gjenim gjuhën e komunikimit me cilindo që do të kalonte, pavarësisht gjuhës që fliste.

Autorja e këtij reportazhi është nxënëse në gjimnazin “Sami Frashëri”, Tiranë

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT