Gjykata e Lartë nuk pranon kërkesën e Eria Agos, e dashura modele e Safet Bajrit akuzohet se nxori nga Shkodra autorët e vrasjes së Fatbardh Licit

Eria Ago do të vazhdojë të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Kështu ka vendosur Gjykata e Lartë këtë të premte, duke mos pranuar rekursin e të dashurës modele të Safet Bajrit.
Nëntorin që lamë pas, Gjykata e Posaçme e Apelit zbuti masën e sigurisë të vendosur ndaj Agos nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”.
E akuzuar për përfshirjen e saj në vrasjen e Fatbardh Licit ngjarje në të cilën dyshohet se ajo ka patur rolin e transportueses së autorëve të ngjarjes, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, Eria Ago u vu në pranga rreth një viti më parë, më 26 shkurt të 2025.
Pamjet filmike të siguruara nga dosja tregojnë automjeti tip “Benz” me targë AA 989 TE, e përdorur nga autorët e përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit më 10 gusht 2018 në Kiras të Shkodrës.
Nën drejtimin e kësaj makine u zbulua se ka qenë Eria Ago, e dashura e Safet Bajrit, personi kryesor i akuzuar për këtë atentat, e cila ka ndihmuar autorët të largohen nga vendi i ngjarjes.
Referuar dosjes hetimore, Eria Ago pas vrasjes së Fatbardh Licit, ka larguar Astmer Bilalin drejt Tiranës me makinën “Benz” ngjyrë të bardhë, ndërsa Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.
Kur ka mbërritur të Tiranë nën shoqërinë e të dashurës së Safet Bajrit, Astmer Bilali i ka dorëzuar makinën Pëllumb Gjokës, si dhe ka komunikuar dhe me Behar Bajrin. Më pas është larguar drejt Vlorës, referuar dosjes hetimore të SPAK.
Por pavarësisht provave të grumbulluara, Eria Ago pretendon pafajësinë e saj duke kërkuar lirinë.