Kalaja e harruar e Skënderbeut në Kepin e Rodonit…
TIRANE-E strukur diku në Kepin e Rodonit, kalaja e
Skënderbeut është lënë pothuajse në harresë. Nga Tirana me makinë drejt
saj, duhet rreth 1 orë apo 1 orë e 30 minuta. Rruga me makinë shkon deri
tek kisha e Shën Ndout, që mendohet të jetë ndërtuar nga apostulli i
Krishtit. Prej aty, për të mbërritur deri tek kalaja, duhen rreth 20
minuta kohë, me rrugën anës detit dhe po aq edhe me rrugën nëpër kodër. E
ndërtuar nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452, në Kalanë e Rodonit
janë bërë punime plotësuese edhe në vitin 1463, kur heroi solli disa
mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Sot, gjendja e saj lë shumë për të
dëshiruar. Muret e rëna, që thonë se ka shumë vite pa u vënë dorë mbi
të, të ngjallin një ndjesi të trishtë. Sa pak vlerësim e respekt për
historinë! E si të mos mjaftonte kjo, një det i mbytur nga mbeturina
shtrihet pranë kalasë. Shishe plastike pa fund, herë-herë edhe këpucë,
një ndotje e turpshme ndanë saj, ia zbeh ato 500 e ndoca vite që ka mbi
supe, shtuar këto lënies pas dore të objektit. Ky është 100-vjetori i
Pavarësisë, me projekte pa fund nga i ashtuquajturi mbrojtës i kësaj
trashëgimie: Instituti i Monumenteve të Kulturës. Zona ka bukuri
natyrore dhe vlera historike pa fund. Tek lokali i vetëm në ato anë që
mban emrin “Kepi i Rodonit” na thonë se janë polakët, ata që e vizitojnë
më së shumti këtë kala. Veç vlerave historike që lidhen me betejat dhe
qëndresën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kepi mbart
si toponim vlera që përkojnë më mitologjinë ilire. Redoni, sipas
mitologjisë ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Posedoni i grekëve apo
Neptuni i romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që
të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i
Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët tanë, mes
tyre Prof. Hasan Ceka dhe Moikom Zeqo. Sipas këtij të fundit, Redoni ka
qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir (M. Zeqo, Motive
arkeologjike fq.146-150, Tiranë 1990). Ai ka qenë i vlerësuar nga ilirët
dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe
simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të
Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit ilir Gent (M. Zeqo. Panteoni
Ilir).
Kalaja
Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja
u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi
të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj.
Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një
daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga venecianët, të
cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim. Ndërkohë,
kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut
për t’u larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk. Për
këtë qëllim, në 22 janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis
Ambasadorit të Skënderbeut, Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate,
Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4
shkurtit 1462 ku Raguza në rast lufte do t’i vinte në shërbim
Skënderbeut limanet dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër
turqve.
Vite më vonë, pasi u pushtua prej turqve, kalaja e Rodonit
nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Për t’u mbrojtur ajo kërkonte
punime plotësuese por ishte edhe pre e lehtë për t’u goditur nga
artileria e anijeve të luftës (Gj. Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në
Shqipëri, Tiranë 1981, fq. 183-185). Kështu, ajo u braktis për t’u
quajtur një relike e kohës së shkuar, u la jashtë kujdesit për t’u
shndërruar në rrënojë.
Kalaja e Rodonit ndodhet në kepin e Rodonit.
Princi Karl Topia dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar,
ndërsa Skënderbeu, duke synuar që të kishte një dalje të afërt në det,
ngriti këtu një kështjellë. Kjo kala filloi të ngrihej mbas rrethimit të
parë të Krujës, në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë rreth
vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit arrinte në një gjatësi prej
400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rrumbullakëta. Në vitin
1500 kalaja u pushtua nga Venediku. Si rezultat i veprimtarive erozive
të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit
Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së
djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë
ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen
nga banorët si vend i shenjtë.
Nisma
“Tirana
Ekspres” dhe “Smart Tourist Albania” www.smart tourist. al kanë
themeluar klubin “Rojat e Kepit”. Ky organizim synon të ndërmarrë në
datat 24-26 gusht një aksion konkret për të parandaluar degradimin e një
prej zonave më piktoreske dhe të veçanta të bregdetit shqiptar: Kepit
të Rodonit. “Degradim nga ndotjet. Kepi i Rodonit është një zonë
bregdetare pa ndërtime të vona të dy dekadave të tranzicionit
urbanistik. Gjithashtu kjo zonë shtrihet larg akseve të rrugëve
nacionale”, vëren klubi “Rojat e kepit”. Megjithëse jo i populluar dhe i
frekuentuar, Kepi i Rodonit ka ndotje të theksuara nga mbetjet urbane
dhe inerte. Shkak i kësaj janë prurjet e lumenjve dhe deltave ujore, të
cilat përdoren si vende për depozitim dhe shkarkim të mbetjeve të zonave
të banuara. Përkatësisht mbeturinat shkarkohen në lumenjtë Ishëm dhe
Mat. “Me lumin Ishëm lundrojnë drejt Kepit mbetje urbane që shkarkohen
në Tiranë (Lana dhe Lumi i Tiranës bashkohen në Kamëz dhe më tej bëhen
pjesë e Lumit Ishëm në afërsi të fshatit Tërkuzë); Laknas; Rinas; Prezë
dhe e gjithë Malësia e Ishmit. Me lumin Mat lundrojnë drejt Kepit mbetje
të hedhura në luginën e lumit që nga zona e Fanit; Krahina e Matit e më
tej Milot; Kurbin; Fushë-Krujë; Fushëkuqe etj”, bëjnë me dije
organizatorët e kulbit “Rojat e Kepit” .
Sipas “Tirana Ekspres”
dhe “Smart Tourist Albania”, këto tonelata mbetjesh të cilat lundrojnë
drejt grykëderdhjeve të deltave depozitohen në brigjet piktoreske të
Kepit të Rodonit. Ato shtojnë se aktualisht ky kep me vlera natyrore dhe
historike është shndërruar në një kosh gjigand mbeturinash.
“Aksion
pastrimi tek Kepi i Rodonit” është një nismë qytetare për aktivizimin e
vullnetarëve të cilët në datat 24 deri 26 gusht do të pastrojnë bregun
duke mbledhur dhe dërguar në depot e riciklimit mbetjet përkatëse.
Gjithashtu ky aksion synon sensibilizim dhe presion qytetar për të
ndërprerë hedhjen dhe depozitimin e mbetjeve urbaneve të bashkive dhe
komunave përgjatë lumenjve dhe përrenjve që derdhen në bregun e
Adriatikut. Grupi iniciator synon të edukojë publikun mbi rëndësinë e
grumbullimit të mbetjeve për riciklim, si zgjidhje e duhur për
problematikën e ndotjes.
Kepi i Rodonit, njohur ndryshe si Kepi i
Skënderbeut, ndan Gjirin e Rodonit nga Gjiri i Lalzit. Si vazhdim i
kurrizit kodrinor të Rodonit, kepi bie thikë mbi det duke formuar një
breg piktoresk. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis Gjirit të Rodonit
në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i
Ishmit. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll
nga ana e jugut gjirin e Drinit.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.