Emigrantët, zhgënjim dhe keqardhje për Shqipërinë
Po largohen edhe emigrantët e fundit nga Shqipëria
KAPSHTICË– Po largohen edhe emigrantët e fundit nga Shqipëria. Erdhën me mall dhe ikën me mall. Pritet që pas 2-3 ditësh pikat e kalimit kufitar t’i kthehen normalitetit. Ata nxitojnë të kthehen në vendet e tyre të punës. Shpresojnë shumë që pronari ku kanë punuar të mos ketë falimentuar. Kohët janë të vështira, gjithçka e papritur mund të ndodhë. Gjithkush prej tyre qëndroi vetëm pak ditë. Shqetësimi për ditët dhe muajt në vijim ishte i madh. “Keq në Greqinë e pushtuar nga kriza, na thotë një emigrant, por shumë më keq në Shqipërinë e pushtuar nga një krizë tjetër që ende nuk ia kini vënë emrin”. Në dogana u shënua pothuajse i njëjti fluks si në hyrje dhe në dalje. Të krijohej ideja sikur ishin të njëjtit njerëz që hynin dhe dilnin. Nxitonin në ardhje, nxitonin edhe në ikje. Maratona i kishte finishin te pika e nisjes. Ata erdhën të çmalleshin me prindërit, por në të njëjtën kohë edhe për të testuar se çfarë bëhej në atdheun e tyre. A ofron mundësi punësimi, a ka gjasa për çeljen e një biznesi, si janë kushtet e kreditimit, a ekzistojnë mundësitë që fëmijët e tyre të vijonin arsimimin në Shqipëri etj, etj. Nuk ekziston asnjë e dhënë nëse emigrantët tanë mbetën të kënaqur nga vendi i tyre ose jo. Por shumë prej tyre u shprehën se në këtë vend nuk jetohet. Çmimet janë më të larta se në Greqi. E njëjta gjë ndodh si me veshjet ashtu edhe me ushqimin. Tregtarët nuk kanë kulturën e tregtimit. Ata në çdo çast përpiqen të luajnë me çmimet dhe me njerëzit. Nuk arrijmë të kuptojmë se si shqiptarët munden të përballojnë jetën e tyre në këtë vend. “Pagesa e punëtorit është shumë e ulët”, na thotë një emigrant tjetër. Qeveria edhe pse e rraskapitur nga efektet e krizës, ngre vetëm rrogat e intelektualëve. E bën këtë, sepse ka frikë mos i dalin në protesta. Punëtorët janë të paorganizuar, nuk ka frikë prej tyre, për fshatarët as që do t’ia dijë njeri. Mjafton që ata të kenë një lopë dhe disa dele në shtëpitë e tyre që të mos vdesin urie. E keqja nuk përfundon këtu. Që të gjithë zanatçinjtë punojnë në të zezë. Shteti nuk mendon aspak për sigurimet shoqërore. Dëgjojmë që bën thirrje çdo vit: “Paguani kontributin për sigurimet shoqërore…. po e shtyjmë përsëri afatin e pagesës… vitin tjetër pagesa do të jetë më e lartë…”. Kështu ndodh vetëm me një shtet qesharak. E dini çfarë ndodh në Greqi? Gjithkush që merr lejen e ndërtimit, i parashikohet që në projekt fuqia punëtore dhe masa e sigurimit shoqëror që duhet të paguajë. Pastaj ai le ta ndërtojë për një ditë, për një muaj apo për një vit. Nuk ka rëndësi nëse merr vetëm 1 punëtor apo 100. Ajo që duhet paguar do ta paguajë”. “Qëndruam vetëm disa ditë na tregojnë grup emigrantësh, por vumë re se Shqipëria është e lodhshme. Të shkosh në një zyrë është vështirë ta gjesh zyrtarin atje. Edhe nëse e gjen të dëgjon me habi njësoj sikur kërkon të të thotë: “Ju besoni se unë kam mundësi të zgjidh hallin tuaj… me këto punë merret vetëm kryetari i partisë… unë nuk ju pyes dot se me cilën parti jeni ju… E pamë me sytë tanë se pa një vërtetim partie nuk zë dot punë. Të takosh titullarin e institucionit është njëlloj sikur të takosh presidentin e Amerikës. I blinduar në zyrën e tij. Ndërkohë sheh se po në atë zyrë hyjnë dhe dalin shok e miq të tij pa trokitur. Nuk vonon shumë dhe pas kësaj sheh një vajzë të re që çon kafetë. Befas të duket vetja i çmendur, ke shkuar në zyrën e shtetit apo në lokal. Gjithçka është e zaptuar nga klane të caktuara. Besojmë se të gjitha këto shpjegojnë vetëvrasjet në Shqipëri. Pak ditë që ndenjëm në Korçë dëgjuam vetëm vetëvrasje”. Tashmë ata po ikin. Vetëm gjatë 24-orëve të fundit nëpërmjet 4 pikave kufitare të qarkut Korçë: Kapshticës, Qafë-Thanë, Tushemisht dhe Goricë hynë gjithsesj 3330 shqiptarë me 918 mjete, por ndërkohë u largua nga Shqipëria dyfishi i tyre, 6438 shqiptarë. Fluksi në dalje ishte 3.108 emigrantë më shumë. Po ikin edhe të huajt. Në largim e sipër emigrantët tanë na thonë: “Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të qëndrojmë në Greqi, në Shqipëri do të vijmë vetëm nëse do ta kemi të pamundur të jetojmë atje… Dhe ne shohim se si ata largohen. Keqardhja dhe zhgënjimi i tyre është i madh”.
Vepror Hasani
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.