Amnesty International, ‘shuplakë’ Bashës për keqtrajtimin e romëve: Ndalo menjëherë dhunën, sidomos ndaj fëmijëve
Organizata e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, ka lëshuar një deklaratë publike në mbrojtje të komunitetit rom, pas keqtrajtimit dhe diskriminimit nga Bashkia e Tiranës.
“Amnesty International është e shqetësuar për dhunimin potencial të së drejtës së familjeve rome për të siguruar jetesën, shkaktuar nga autoritetet vendore në Tiranë, që i kanë ndaluar ata që të mbledhin mbeturina të riciklueshme.
Që kur ky ndalim hyri në fuqi, 92 persona janë gjobitur nga Policia Bashkiake e Tiranës pse kanë mbledhur plehra. Banorëve romë iu janë konfiskuar edhe pajisjet dhe mjetet e lëvizjes. Mendohet se janë 700 familje rome në Tiranë, që e kanë mbledhjen e mbeturinave si burimin e vetëm të jetesës,” thuhet në deklaratë.
“Organizata nuk e konsideron ndalimin e menjëhershëm të mbledhjes së materialeve të riciklueshme si rrugën e duhur për të adresuar situatën, pasi rezulton në mohimin e menjëhershëm të burimit të jetesës,” vijon deklarata.
Në deklaratën e tyre i bëhet thirrje policisë që të ndalojë menjëherë aksionet ndaj romëve, sidomos dhunën e ushtruar ndaj tyre, veçanërisht ndaj fëmijëve.
Amnesty po ashtu thekson se Policia Bashkiake është akuzuar se ka ushtruar dhunë ndaj romëve, kurse drejtori i kësaj policie nuk i është përgjigjur thirrjes së Avokatit të Popullit për t’u përgjigjur për këto veprime.
“Amnesty International i bën thirrjeve autoriteteve të Tiranës, përfshi kreun e Policisë Bashkiake, që t’i përgjigjen rekomandimeve të Avokatit të Popullit, pasi janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë. Ndërkohë organizata i bën thirrje policisë që të ndalojë veprimet aktuale ndaj romëve derisa të gjendet një zgjidhje dhe në veçanti të përmbahen nga përdorimi i dhunës, duke përfshirë dhunën ndaj fëmijëve, siç është raportuar nga një numër romësh dhe egjiptianësh”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.