Ambasadori i Rusisë: Ofruam ndihmën tonë pas tërmetit, nuk morëm asnjë përgjigje nga Rama

Ambasadori i ri i Rusisë në Tiranë, Mihail Afanasiev ka dhënë së fundmi një intervistë.
Përtej vlerësimeve për vendin tonë dhe, sipas tij, simpatinë e shqiptarëve të thjeshtë për Rusinë, Afanasiev thotë sa pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, pala ruse ofroi ndihmën e vet.
Falas, siç e thekson ambasadori. Por, sipas tij, pala shqiptare nuk ktheu asnjë përgjigje.
“Qytetarët rusë reaguan menjëherë ndaj tragjedisë së ndodhur në Shqipëri.
Në ditët e para pas tërmetit liderët rusë i dërguan ngushëllime kolegëve shqiptarë.
Federata Ruse dërgoi një sërë propozimesh në lidhje me format e ndihmës sonë falas, por ato mbetën pa përgjigje.
Komuniteti Shpirtëror i Myslimanëve të Moskës, fondacioni islamik i bamirësisë “Zakjat” dhe Kisha Orthodhokse Ruse njoftuan për mbledhjen e fondeve për të lënduarit.
Këto janë nisma private të njerëzve dhe organizatave që ne si Ambasadë mund vetëm t’i mirëpresim.
Aktualisht po shqyrtohet çështja e dërgimit të pajisjeve mjekësore nga Rusia.
Vendi ynë mori pjesë dhe në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Shqipërinë në Bruksel”, është shprehur ambasadori.