Gallatë e hidhur me Entelën e Boboshticës

Nga Bledi Mane- Public Enemy
facebook.com/bledi.mane

Entela Prifti quhet. Gjykatëse karriere është. Momentalisht kryetare e Gjykatës së Apelit të rrethit gjyqësor Korçë.

Pardje ia damkosën me të kuqe pasaportën e saj biometrike ndërsa tentonte të shkonte në Greqi të kalonte weekend-in. Do të shkonte të shpenzonte euro matanë kufirit se helbete këta gjykatësit tanë i kemi të kamur.

Mua personalisht më ngazëlleu incidenti i refuzimit të Entelës dhe kolegëve të saj gjyqtarë nga ana e policisë greke, por me një korrigjim të vogël do të ishte vërtetë një arsye më e kompletuar.

“Jeni rrezik për rendin kushtetues të Greqisë dhe qërohuni nga toka jonë!”-kështu bërtitën policët e kufirit helenas dhe Entela me shoqet u kthye me bisht ndër shalë andej nga erdhën.

Media gumëzhiu disi, qeveria stakoi trurin siç ka stakuar linjën interkonjeksionlale të Kosovës dhe nuk e rruajti fare, kryediplomati pasiv i Ilir Metës aktiv, Haxhinastoja reagoi si leshko rreth incidentit ndërsa KLD-ja pa nënkryetar dhe Konferenca Gjyqësore Kombëtare me kryetar nuk e vunë ujin në zjarr për kolegët e tyre. Ndërkohë incidentin e rëndë ndërkufitar shumë syresh e lidhën me dënimin që këta gjykatës i dhanë Naumit të Omanias varrhapësit të Boboshticës. Emocionalisht gjithkush mund ta besojë si të tillë, por me një logjikë më të kthjellët unë arrij në tjetër konkluzion…

***

Entela Prifti quhet. Gjykatëse karriere është. Ish anëtare e Kolegjit Zgjedhore, e cila zgjedhjet lokale të 8 majit i shpartalloi së bashku me Tomën dhe Sashenkën.

Entela Prifti quhet, por përfaqëson qindra entelëra anembanë këtij vendi, të cilët pasi kalbën sistemin e drejtësisë (paguaj taksa oooo milet!) kanë filluar të infektojnë edhe sistemet e tjera të një pushteti, i cili po konvertohet në regjim kodoshësh. Janë gjykatës të një vendi, rendi kushtetues i të cilit ka kohë që është halabakosur, i një vendi autist të cilit nuk i bën derman as Lili e as qendrat e saj rehabilituese.

Ushtarët grekë kanë të drejtë kur i përcjellin me ceremoni pse i druhen rendit kushtetues të tyre. Megjithëse zgripi i krizës dhe mirëqenia atje në Greqi ua ka ulur kokën, ende fqinjët tanë tregohen vigjilentë. Nuk mundet të lenë të shkelin tokën e tyre gjykatës me staturën, anadollakun, makutërinë dhe mëkatet e entelrave dhe sashenkave. Nuk duan të infektojnë me lebrozën e drejtësisë shqiptare ato pak vlera që u kanë mbetur të shenjta në atdheun e tyre. Mjaftohen me hapje varresh në Kosinën dhe Boboshticën e Shqipërisë e nuk duan t’i hapin vetes telashe me karagjozë si këta tanët, të cilët edhe Petrus Sabbatius Iustinianus Augustus e kanë koritur dhe turpëruar ndër shekuj e mote.

Pardje policia greke injoroi një tufë gjykatësish duke ua flakur tutje pasaportat e kuqe me shqiponjën dy krenare. Shqiponja u fluturoi e u iku prej pasaportave duke mos duruar poshtërimin. Vetëm ngjyra e kuqe u mbeti. U mbeti në pasaporta dhe mbi fytyra si damkë turpi.

Pas 22 vitesh të një gjysëm miqësie të nderur, kufitarët problematikë helenas tregohen diplomatikisht korrektë.

Kësaj here bënë atë çka duhet të kishim bërë ne me kohë.

Kot mburremi ne shqiptarët për trimëri.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT