Maqedonia si Greqia: Jo popullates ne Shqiperi per deklarimin
Shkup – Shtimi i grafës ku tregohet përkatësia nacionale dhe fetare gjatë regjistrimit të popullsisë në Shqipëri ka nxitur orekset e fqinjëve të saj të cilët me metoda të ndryshme përpiqen që të rrisin numrin e popullatës së tyre në Shqipëri.
Burime të “Lajm”-it thonë se edhe Maqedonia po josh popullatën e Shqipërisë me metoda të ngjashme me Greqinë. Sipas tyre ekzistojnë shumë adresa të njëjta banimi në Shkup dhe qytete tjera ku janë të regjistruar dhjetëra shtetas të Shqipërisë që kanë marrë pasaporta të Maqedonisë.
Burime të “Lajm”-it pohojnë se në të njëjtën adresë banimi janë të regjistruar rreth dy mijë persona nga Shqipëria të cilët janë pajisur me pasaporta të Maqedonisë. “Efekti është i dyfishtë, edhe këtu e risin numrin e maqedonasve, edhe në Shqipëri”, tha i njëjti burim.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë e mohojnë si të pavërtetë një gjë të tillë. Në ndërkohë përgatitjet për regjistrimin e popullsisë po vazhdojnë. Regjistruesit që do të mungojnë nëpër rajon e të ndryshme do të zëvendësohen me regjistrues nga rajonet pranë tyre.
Regjistrimi i popullsisë do të realizohet nga 1-15 tetor. Në këtë proces janë angazhuar rreth 20 mijë persona, ndërsa shteti ka ndarë rreth 15 milionë euro. Regjistrimi i Popullsisë do të realizohet nga Enti shtetëror për statistikë ne bashkëpunim me Komisionin shtetëror zgjedhor, ndërsa do të mbikëqyret nga EUROSTAT.
PDSH ndryshon qëndrimin për regjistrimin
Përkundër shqetësimeve lidhur me çështjen e regjistrimit, PDSH-ja mbështet këtë proces tha ambasadori i Shqipërisë, Arben Çejku pas takimit që ka zhvilluar në Tetovë me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi me të cilin kanë biseduar edhe zhvillimet tjera që ndërlidhen me procesin e integrimit dhe zhvillimet e fundit në arsim.
”Gjeta një qëndrim të përmirësuar dhe dobishëm të PDSH-së për regjistrimin dhe natyrisht mirëkuptojmë edhe brengosjen e PDSH-së për ndonjë defekt teknik apo problematik që vjen si pasojë e procesit të regjistrimit por në tërësi PDSH mbështet regjistrimin dhe është mjaft e interesuar që çdo shqiptarë të gjej veten në numrin total të popullsisë”, tha Arben Çejku, ambasador i Shqipërisë në Maqedoni.
“Për ne është tepër e rëndësishme kjo përkrahje që i vinë edhe partisë edhe shqiptarëve edhe Maqedonisë, sidomos në një proces normal politik të një dialogu të vërtetë mes forcave politike, por padyshim më e rëndësishme është mbështetja që i vjen Maqedonisë në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së” , tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”