Sulmohet ambasadori i OSBE-së pas reagimit që bëri për ruajtjen e qetësisë
Parulla: “Borchardt shame on you” ne pallatin ku jeton ambasadori i OSBE-se

“Borchardt shame on you” ( “Borchardt të të vijë turp,) Një mbishkrim me të zezë është shkruar në murin e pallatit ku jeton ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchard, një ditë pas protestës së opozitës dhe reagimit të saj po mbrëmjen e djeshme.
Në fillim përmes një deklarate OSBE nënvizoi se organizatorët e protestës duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre. Më pas reagoi duke dënuar dhe dhunën.
Një veprim i tillë është quajtur sulm nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Në një postim në Facebook, Cakaj tha se veprimi është kryer në urdhëra politike të krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Borchardt dhe të familjes së tij.
Postimi i plotë:
Mjaft është mjaft!
Sulmi i mbrëmshëm ndaj shtëpisë të Ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri,
Bernd Borchardt, pas deklaratës publike të OSBE kundër dhunës kriminale në protestën e djeshme, përbën një tjetër akt të papranueshëm kriminal. Veprimi është kryer në urdhëra të qarta politike të krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Ambasadorit Borchardt dhe familjes së tij, si hakmarrje primitive e atyre që pasi kanë humbur kontrollin e vetes duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë!
Ambasadori Borchardt vazhdimisht ka kryer punën e tij me profesionalizëm të plotë në kuadër të Misionit të OSBE-së dhe faji i tij i vetëm është thirrja fisnike për frenim nga dhuna dhe distancim nga veprimtaria e dhunshme.
Sulmi ndaj tij është sulm ndaj themeleve të kulturës demokratike, imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përpjekje e drejtëpërdrejtë për ta cenuar besueshmërinë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së 2020. Kjo nuk është thjeshtë Shqipëria që duam: kjo nuk është kurrësesi as Shqipëria e tanishme.
Kjo është Shqipëria e një grupi rrugëhumburish politik dhe huliganë kriminalë si ata që kryejnë akte dhune dhe që kanë dhunuar edhe banesën e ambasadorit.
Për më shumë, kultura e linçimit masiv, diskreditimit tendencioz profesional dhe cenimit personal është krim në vetvete. Ndaj, secili person me përgjegjësi minimale shoqërore duhet menjëherë të distancohet nga sulmi kriminal ndaj Ambasadorit Borchardt dhe të dënojë veprimtarinë e dhunshme kundër Shqipërisë në përgjithësi.