Samiti i Berlinit, shpërfaqje e çoroditjes sonë

Berlini e di që pasagjerët e 'AirPacolli' nuk kanë as strategji as synim për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje në favor të popujve tanë.

Shkruan: Nezir Kraki

Fatkeqësisht, sot në Berlin shqiptarët përfaqësohen nga ajka e injorancës dhe e banditizmit në politikë. Thaçi dhe Rama janë në anën e strategjisë serbe për shpërfytyrimin e jashtëm të Kosovës dhe invalidimin e saj të brendshëm, derisa argatët e tyre janë aty veç për foto, për bartje të çantave dhe për komplimente të stilit “bravo shef, shumë mirë ke folë”.

Nga paria jonë e gërditshme në Berlin duhet të veçohet kryeministri i Kosovës, i cili, edhe pse me një dreq e gjysmë gabime në Prishtinë, vazhdon t’i rezistojë dyshes Thaçi-Rama dhe ta pengojë me aq sa mundet pazarin e tyre me vëllain tashmë paqësor, Vuçiq.

Berlini e di që pasagjerët e ‘AirPacolli’ nuk kanë as strategji, as synim për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje në favor të popujve tanë. Berlini e Parisi e dinë mirë që Shqipëria nuk po bëhet nga politika-krim dhe bandat me kravata që orbitojnë rreth Edi Ramës. Berlini e Parisi e dinë fort mirë po ashtu që Thaçi ynë të vetmin hall e ka faktorizimin e tij personal dhe evitimin e qelisë.

Në këtë konfiguaracion, aleatët tanë janë në hall se si ta bindin Thaçin që Kosova është çështje e kryer dhe si ta bindin Ramën që të merret me sigurinë e Rinasit dhe të qëndrojë larg ideve megalo-erdoganiste të pushtetit me përjetësi.

Merreni me mend një sekondë se si duhet të ndihen Merkel dhe Macron kur ta konstatojnë sot se Thaçi, Rama e Vuçiqi janë në një vijë, ndërsa R. Haradinaj në një vijë tjetër. Merkel dhe Macron tash duhet të ballafaqohen edhe me Mogherinin dhe funksionarët e tjerë të sklerozuar të Brukselit, të cilët kanë 20 vjet që s’e kuptojnë Kosovën.

Fati ynë është se Gjermania e Franca e dinë shumë mirë kush janë këta pazarxhinj të kapur nga bandat dhe të prekur nga virusi i «figures historike».

Le të dihet e të thuhet se Kosova sot në Samitin e Berlinit ka më shumë armiq se miq dhe armiqtë më të fortë të saj janë shqiptarë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT