Dalin detajet për çiftin e infektuar në Korçë, u infektuan nga mbesa e tyre që iu erdhi për vizitë nga Italia

Korça i është shtuar hartës së të prekurve me koronavirus. 3 persona janë konfirmuar pozitivë ditën e sotme sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë.

Bëhet fjalë për një çift, burrë e grua si dhe një 33 vjeçar.

Të tre personat kanë patur temperaturë të lartë dhe janë drejtuar fillimisht në spitalin e Korcës, pas kryerjes së analizës dhe marrjes së rezultatit janë nisur mbrëmjen e së shtunës drejt infektivit në Tiranë.

Por ABC Neës ka mësuar të dhëna të reja për çiftin e infektuar me Covid 19.

Burimet kanë njoftuar se para dy javësh cifti është takuar me mbesën që është kthyer nga Italia. Pas qëndrimit disa ditë në Korçë, mbesa e çiftit është kthyer përsëri në Itali.

Çifti i të infektuarve, ka shfaqur shenjat e Covid-19 pas largimit të mbesës.

Nga burimet e A2, mësohet se më datë 2 mars mbesa e të moshuarve ka ardhur nga Italia, pikërisht nga Lombardia që tashmë është vatra kryesore e infeksionit në Europë.

Por ndërkohë që situata e të moshuarve paraqitet tashmë e rëndë, mbesa dhe djali i çiftit rezultojnë si negativë nga testimet për COVID -19, dhe ka mundësi që ata ta kenë kaluar si asimptomatikë sëmundjen.

Ndërkohë, enigmë mbetet infektimi i 30 vjeçarit i cili prej disa ditësh ka qenë i shtruar në senatoriumin e Korçës. Testi i tij i parë ka dalë negativ, por në testin e dytë ka rezultuar i prekur me COVID-19.

Mjekët dhe infermierët po monitorohen për simptomat, pasi mund të ketë përhapje të virusit brenda spitalit, po ashtu po monitorohen dhe personat e kontaktuar nga 3 të prekurit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT