Mjaft më me indiferencën ndaj lutjes së mjekëve…

Janë dashur vetëm pak orë për të konfirmuar dy viktima dhe dhjetëra raste të reja të infektimit (më shumë se çdo ditë tjetër), për të treguar se edhe vendi ynë tashmë po nis të vuajë pasojat e frikshme të përhapjes së koronavirusit të ri.

Ndonëse rregullat në ndihmë të shkëputjes së zinxhirit të infektimit ndërrojnë çdo ditë, ajo që nuk ka ndryshuar në këto dy javë, është thirrja e vazhdueshme e mjekëve për t’u ardhur në ndihmë dhe për të mos rrezikuar përballjen me skenarin më të keq të mundshëm sikundër po ndodh në shtetin fqinj Itali, në Spanjë, apo në shumë vende të tjera, ku infektimet shtohen në mënyrë të frikshme, po ashtu edhe numri i viktimave.

Nuk duhet të dalim nga shtëpia, vetëm kaq na kërkohet… E nëse na duhet ndihmë për informacion mjekësor jo vetëm në lidhje me Covid-19, por edhe për barnat që mund të na duhen dhe shqetësime të tjera të ngjashme, nuk është e nevojshme të shkojmë menjëherë në spital sikundër po ndodh, e as të bllokojmë numrin e urgjencës, e cila mund t’u vijë në ndihmë rasteve që kanë vërtet nevojë për të.

“Mos shkoni menjëherë në spital! Ju tashmë keni në dispozicion një linjë të gjelbër ku mund të telefoni falas në numrin 0800 40 40, ku do të merrni përgjigjen për të gjitha shqetësimet që keni jo vetëm në lidhje me Covid-19, por edhe për vijimin e trajtimeve dhe kujdesin mjekësor parësor nëse do jetë e nevojshme. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për çdo shqetësim tjetër që ata kanë”, është kjo lutja që mjekët dhe autoritetet e tjera të shëndetit po bëjnë çdo ditë në këto dy javë të vendosjes së karantinës.

Por, është e rëndësishme të sqarohet se nëse keni shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127, e cila shpesh herë bllokohet edhe nga thirrje tërësisht të panevojshme.

Një lutje ndaj të cilës nuk duhet të tregohemi më indiferentë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shmangim daljet e panevojshme, por do të mbrojmë njëkohësisht veten dhe bluzat e bardha, tek të cilët kemi varur të gjithë shpresat për vijimin e mëtejshëm të jetës.

Në mbrojtje të bluzave të bardha, po vendosen çadra ku do të kryhet triazhi i parë mjekësor, për seleksionimin e pacientëve që do të vendosen nën mbikëqyrje për Covid-19, apo ata që kanë nevojë për trajtime të llojeve të tjera mjekësore.

Sa i takon identifikimit të rasteve, deri dje në mesditë janë testuar 856 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë 104 raste. Çka do të thotë se vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja pozitive, në 45 testime të kryera. Ndërkohë që katër pacientë deri më tani kanë humbur jetën për shkak të ndërlikimeve të shkaktuara nga Covid-19.

Fatkeqësisht për ne, harta e të prekurve tashmë shtrihet edhe në Vlorë, Shkodër, si dhe zgjerohet më tej në Tiranë, Durrës, përveç rasteve të zbuluara për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik, si: Lushnja, Kavaja, Fieri, Rrogozhina ku po punohet pa u ndalur nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e transmetimit të infeksionit.

Por kemi dhe një lajm të mirë në këto ditë të ngarkuara, sot kanë lënë shërbimin infektiv edhe 2 pacientë të tjerë, duke e çuar në 5 numrin e të shëruarve.

Sipas shefes së Departamentit të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, në spitalin Infektiv të QSUT-së aktualisht ndodhen 49 pacientë të shtruar, 3 prej tyre janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

•       Tiranë                 68 qytetarë
•       Durrës                            7 qytetarë
•       Lushnje               2 qytetarë
•       Elbasan                           2 qytetarë
•       Fier                     12 qytetarë
•       Rrogozhinë         2 qytetarë
•       Kavajë                3 qytetarë
•       Korcë                  3 qytetarë
•       Vlorë                  4 qytetarë
•       Shkodër              1 qytetar

Back to top button
LAJMET E FUNDIT