“Le t’s gooo!” Pasi bëri fushatë për Ramën, Noizy “rikthehet” te Veliaj, VIP-at në mbështetje të Lali Erit

Të shumtë kanë qenë ata personazhe të njohur të cilët kanë “shpërthyer” në komente në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliajt.
Pasi ky i fundit u rivendos në detyrë si qytetari i parë i Tiranës, VIP-at tanë si Noizy, Klea Huta, Ermal Mamaqi, Arjola Demiri dhe shumë të tjerë, kanë komentuar për të shprehur solidaritetin e tyre për të.
Por, në mesin e shumë komenteve, ai që tërhoqi vëmendje ka qenë pikërisht Noizy. Kjo pasi gjatë fushatës së 11 Majit reperi u pa afër kryeministrit Edi Rama, me të cilin marrëdhëniet e Veliajt kohëve të fundit janë “ftohur”.
Mesditën e sotme, kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu në detyrë, duke e cilësuar atë si një fitore të demokracisë dhe të qytetarëve të kryeqytetit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Veliaj theksoi se vendimi i marrë disa ditë më parë nga Kushtetuesja i ktheu dinjitetin votës së lirë dhe ligji në vend.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës. Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij. Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron”, shkruan Veliaj ndër të tjera.