Projekti: Piramida e Tiranës qendra më e madhe e IT në Ballkan
Piramida do të shndërrohet shumë shpejt në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon, duke shërbyer si një hapësirë për shkëmbim idesh e iniciativash, por edhe një inkubator për bizneset e reja në fushën e ICT dhe komunikimit.I pranishëm në ceremoninë e hapjes së edicionit të 6-të të ICTAwards, Veliaj theksoi se pas Jerevanit, Londrës dhe Parisit, Tirana do të jetë qyteti i katërt që do të aplikojë një nga koncepttet më të mira në fushën e teknologjisë dixhitale. “Ky qytet po funksionon pak më mirë sot megjithatë unë prapë them nuk mjafton. Kjo është një nga arsyet pse ne kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm për ta kthyer të gjithë Piramidën e Tiranës në qendrën më të madhe të IT në rajon. Ne jemi duke punuar me një organizatë që quhet Tumo. Tumo është një organizatë me origjinë nga Amerika, një grup amerikano-armen e filloi për herë të parë në Jerevanit. Një shkollë inovatore për kulturën dixhitale dhe varion nga kodimi dhe software disign deri në kinema, film, fotografi, montazh dhe shumë prej proceseve të tjera. Çdo ditë në Jerevan hyjnë dhe dalin nga kjo qendër 4 mijë të rinj dhe kur them të rinj edhe fëmijë, pra nga mosha 4-24 vjeç. Aq i suksesshëm është projekti saqë për punë ditësh hapet në qendër të Parisit dhe në qendër të Londrës. Ne do të jemi qyteti i katërt që do të aplikojë konceptin Tumo dhe unë këtu i jam shumë mirënjohës edhe kryeministrit edhe qeverisë shqiptare sepse na ka dhënë pronën më të lakmuar në qytet, Piramidën e Tiranës, për ta transformuar në një projekt të tillë”, tha Veliaj. 