Tiranë/ Qëlloi drejt boksierit që i plagosi babain në Shkodër, arrestohet 28-vjeçari i shpallur në kërkim

Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë i shpallur në kërkim në vitin 2024 për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. 

I riu Alban Bruçi, banues në Shkodër, u arrestua në rrugën “Teodor Keko” në kryeqytet teksa po udhëtonte me një motor të drejtuar nga 37-vjeçari Arjan Sardi gjithashtu i arrestuar për veprën penale “përkrahje të autorit të krimit”. 

Alban Bruçi u arrestua në kuadër të operacionit “Operacionalja 67”, teksa gjatë kontrollit fizik me vete iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, të gjitha të sekuestruara si prova materiale. 

Dy të arrestuarit i janë dorëzuar Policisë së Shkodrës për ekzekutim të urdhrave për ndalim. 

Alban Bruçi është autor i një atentati të dështuar të ndodhur më 7 shtator në Shkodër për motive hakmarrje. Shënjestër tij ka qenë Arlind Kajoshi, personi që i kishte plagosur më parë babain, Vladimir Bruçin. 

Por ditën e atentatit, me një automjet fuoristradë tip “Land Rover”, me targa AB230EO ka qenë duke lëvizur i vëllai i Arjon Kajoshi, i cili u qëllua me plumba. 

“Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.  

Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 67”.       

Kapet në rrugën “Teodor Keko” dhe vihet në pranga një 28-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje me paramendim dhe për armëmbajtje pa leje.  

Në momentin e ndalimit, 28-vjeçari posedonte një kartë identiteti italiane false.  

Vihet në pranga dhe shtetasi që shoqëronte dhe transportonte 28-vjeçarin, me motomjet.  

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 67”, gjatë të cilit u kap në rrugën “Teodor Keko” dhe u vu në pranga shtetasi: 

-A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte shpallur në kërkim me vendimin e vitit 2024, të Gjykatës së Shkodrës, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.      

Gjatë kontrollit fizik, shtetasi A. B. iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga, për përkrahje të autorit të krimit, shtetasi A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqëronte shtetasin A. B., në momentin e kapjes nga shërbimet e Policisë. Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. S. transportonte shtetasin A. B., me motomjet, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.  

Shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër që bëri ekzekutimin e urdhrave për ndalimin e shtetasit A. B. dhe arrestimin e shtetasit A. S.. 

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Shtetit. 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT