Ne dhe të huajt, shifra shqiptare rekord me shpenzimet për pushime

Vitin e kaluar, Shqipëria ishte “zbulimi” i të huajve, që u dyndën në vend, nga jugu në veri, duke shfrytëzuar alternativat e turizmit malor, detar, aventuresk e kulturor.
Por, edhe shqiptarët nuk kanë mbetur pas, duke eksploruar vendet e ndryshme të botës.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se si shpenzimet e shqiptarëve jashtë, ashtu dhe të të huajve në Shqipëri kanë arritur nivele rekord në vitin 2017.
Të huajt kanë sjellë në Shqipëri rreth 1.7 miliardë euro, me një rritje prej 11.7% në krahasim me 2016-n. Fluksi më i lartë ka qenë në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 421 dhe 588 milionë euro, që përkon dhe me periudhën kulmore turistike (maj-shtator).
As shqiptarët që kanë ikur jashtë nuk janë kursyer. Në total kanë dalë jashtë vendit në formën e shpenzimeve të atyre që kanë udhëtuar, rreth 1.3 miliardë euro në 2017-n, me një rritje prej 11% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ashtu si dhe në rastin e të huajve, shpenzimet më të larta ishin në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 341 dhe 407 milionë euro.
Pozitive është gjithsesi, se bilanci neto, pra diferenca mes parave që hyjnë në Shqipëri nga të huajt dhe atyre që dalin nga shqiptarët jashtë, ka arritur në një rekord pozitiv prej 445 milionë lekësh. Në periudhën 2015-2017, bilanci është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa në 2013-n ai ishte negativ prej 7 milionë eurosh, duke nënkuptuar që shqiptarët jashtë shpenzonin më shumë sesa të huajt tek ne.
Të dhënat e Tirana International Airport tregojnë se numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me charter drejt Antalias dhe kthim ishte rreth 63 mijë persona në vitin 2017, me një rritje të fortë prej 53% në krahasim me një vit më parë.
Në gati dy vjet, shqiptarët që preferojnë të shkojnë me pushime në Turqi pothuajse janë dyfishuar. Në 2015-n, numri i pasagjerëve që udhëtuan me charter ishte rreth 35 mijë. Ai shënoi rritje me 18% një vit më pas, në 2016-n, edhe pse Turqia u përfshi në një valë terrorizmi, që largoi pushuesit e huaj, por jo ata shqiptarë, që u joshën nga tarifat më të ulëta. Ndërsa në 2017-n, kur situata u qetësua, rritja ishte edhe më e lartë, shkruan monitor.al.
Në total, sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë në vitin 2017 ishin 5.18 milionë në vitin 2017 (81% e daljeve ishin përmes tokës), me një rritje prej 12% në krahasim me vitin 2016./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT