Propozim për një ligj pandemik

Nga Ervin LERA

Vazhdon rregullisht të rritet mbingarkesa psikologjike e izolimit dhe, ende asnjë rreze drite që të çajë errësirën e misterit pandemik. Lajmë duart mirë e mirë me sapun e ujë të ngrohtë, bëjmë adetet e mëngjesit (dikur më afër drekës se mëngjesit), ulemi të bëjmë ndonjë punë nga shtëpia (kjo na ha shumë kohë se na duhet edhe të përgjigjemi në komunikimin online si të vetmin kontakt të mundshëm me njerëzit) dhe, ulemi para televizorit të informohemi për çfarë ka ndodhur ndërkohë.

Po paguhen pará ndër njerëz të afërt me pushtetin dhe po shkelen proçedurat(njëri lajm), nuk është zbatuar protokolli shtetëror për pagesat nga qeveria (lajmi tjetër), nuk është shkelur asnjë proçedurë dhe boll nxitë të vërtetën që krijon kushtet optimale të përballimit të situatës (lajmi i tretë).

Dalin gazetarë nga ata të kronikës e deri te ata të show-biz ( këta të fundit zakonisht flasin për eliminimin e celulitit, protezat e gjinjve të bëshëm dhe injeksionet çudibërëse me botox) dhe, argumentojnë kundra, duke nisur që nga masat shtrënguese e deri te protokolli mjekësor që po ndiqet (nga njëra anë), apo një palë tjetër që inkurajojnë dhe argumentojnë në mbështetje të masave dhe protokolleve (nga ana tjetër).

Dalin politikanë deputetë dhe politikanë ish deputetë të nivelit arsimor gjimnazist dhe shfryjnë kundër mungesës së vëmendjes dhe gabimeve të qeverisë nga njëra anë dhe, politikanë deputetë dhe jo deputetë të nivelit arsimor gjimnazist që mbështesin çdo veprim dhe masë të marrë.

Dalin edhe politikanë deputë – mjekë dhe politikanë ish deputetë – mjekë dhe shajnë e mallkojnë, nxjerrin të dhëna (konspirative) dhe injorojnë çdo të dhënë zyrtare nga task force që është e angazhuar. Turp t’ju vijë që në vend të mbështesin dhe bashkëveprojnë e bashkërendojnë merren vetëm me atë qe s’do të mesojnë kurrë të bëjnë mirë, politikë (më keq akoma, politikë pandemike).

Dallin edhe politikanë mjekë dhe politikanë deputetë mjekë e meken duke u përpjekur të ngrenë në qiell masat shtrënguese dhe praktikat e protokollet mjekësore. Turp t’u vijë se as nuk dine të argumentojnë shkencërisht atë që thonë se e kanë braktisur me kohë betimin që kanë bërë kur janë diplomuar.

Dalin politikanë deputetë dhe jo deputetë të turli far lloj profesionesh formale, informale e joformale dhe nga njëra anë ngrenë hipoteza pa lidhje dhe paasnjë zgjidhje, nga ana tjetër po të kësaj kategorie turren me kokën përpara si demat ne arenë e perplasen me murin e injorancës së vet. Asnjërit nuk i dhemb koka se nuk kanë gjë brenda në kokë e t’ju bëjë të ndjeshme dhimbjen.

Ka nga ata të thjeshtët, qu ju duhet të shkojnë edhe në punë për të bërë ato që nuk mund të bëhen online nga shtëpia dhe përveç stresit e ankthit pandemik të infektueshmërisë perballen me gabimet dhe paaftësinë e njerëzve të punësuar nga të sipërpermendurit. Ju çoroditet nervozizmi i shkaktuar nga errësira e misterit pandemik. Sikur pasojë pandemike e të ardhmes të jetë përballja në bazë të meritave, do të jetë revolucion i vërtetë. Por, nuk dihet kush do të vlerësojë dhe kush do të shpallë fituesit. Revolucioni dështon!!!

Te vetmit që sot nuk po perçartin mes llogjesh dhe injorancës, përkundrazi , që po bëjnë shumë mirë vetëm atë që dinë të bëjnë më shumë mirë janë mjekët që i qëndrojnë të përbetuar betimit, infermierët, sanitarët, shoferët dhe gjithë të tjerët të përfshirë në sistemin shëndetësor. Vetëm ata po përballen me mish e shpirt me xhelatin e zi të padukshëm. Të gjithë të tjerët vetëm sa po na hapin barkun me broçkulla të dëgjuara e të padëgjuara më parë.

Në kohë lufte ligji bie dhe i vetmi ligj ashpërsisht i patolerueshëm dhe i respektuar edhe nga armiku është ligji i luftës. Vetëm ligji i luftës, zbatueshmëria e të cilit mbikqyret vetëm nga admiralët e gjeneralët e të dy krahëve mund të vërë rregull në kaosin dhe anarkinë e luftës.

Po sikur Presidenti, Kryetari i Parlamentit, Kryeministri, Bashkëdrejtuesit e Opozitës të mblidhen dhe të miratojnë një ligj pandemik në kohë lufte pandemike?

  • Të përfshihet në votim gjatë një seance parlamentare edhe opozita jashtëparlamentare dhe të votojnë në unanimitet ligjin pasardhës:
  • Të kalohet çdo e drejtë ligjzbatuese në pergjithësi, dhe çdo e drejtë informuese, vetëm në pushtetin e mjekëve që po përballojnë pa u kursyer situatën pandemike
  • Ndëshkohet me heshtje të përjetshme kushdo që thyen ligjin e mësipërm

Boll na harbuat fantazine dhe imagjinatën me informacione konspirative për pakushtetueshmërinë tuaj pandemike dhe civile në kohë pandemie. Boll na stimuluat akumulimin e mllefit, se shumë pak na duhet të shpërthejmë nga kjo që po kalojmë e nuk mbajmë dot edhe shqetesimet tuaja gjoja kushtetuese. Pasi të kalojë e gjitha kjo, hyjini sistemit te drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare me kuç e me maç dhe nxirrini ujin e zi, nxirrini sytë njëri tjetrit e na bindni që nuk shtireni në ato që thoni e përbetoheni, por deri atëherë, kyceni karshi nesh çdo shpërthim politik pandemik qe po na shton stresin pandemik dhe pasigurinë postpandemike./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT