Taksa për mallrat serbe/ Kur Kadri Veseli përtyp atë që ka pështyrë!

Kryetari aktual i PDK-së Kadri Veseli, mesa duket nuk e ka për gjë që të ndryshojë qëndrimet e tij sa herë i prishet terezia.
Të gjithë e kujtojmë aktin e guximshëm të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili referuar veprimeve krejt nacionaliste të qeverisë serbe vendosi t’i përgjigjej kësaj të fundit me një masë drastike, siç ishte vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe që hynin në Kosovë.
Edhe pse aleat me të në qeveri, Kadri Veseli me fytyrën e tij të djeshme do ta kundërshtonte këtë taksë vetëm disa muaj pas vendosjes së saj. Madje ai “kërcënonte” edhe për rënien e qeverisë nëse kjo masë ndaj Serbisë nuk pezullohej.
Ja çfarë shkruante Kadri Veselit para një viti:
“Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”
Kokëfortësia e Ramush Haradinajt nuk i’u nënshtrua kërcënimit të Kadri Veselit, dhe taksa u la në fuqi.
Por ajo që përbën tashmë non-sens është reagimi i Kadri Veselit të sotëm, që nga kujtesa apo dashakeqësia, harron çfarë ka thënë dje dhe krejt papritur na shfaqet sot si “dashnori” i taksës 100% ndaj mallrave Serbe.
Pikërisht për këtë dashuri të madhe që ai pretendon të ketë sot ndaj taksës dhe Kosovës, ka reaguar edhe me një status në rrjetin e tij social facebook.
Postimi i plotë më poshtë:
Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën.
Por a mundet vallë që dikush që presupozon të jetë “lider” të bëhet kaq i pabesueshëm dhe të mbajë dy qëndrime krejt kontradiktore për të njëjtën çështje? Mesa duket PO!
Këtë mund t’a bëjnë vetëm kadrinjtë që nuk u skuqet fytyra nga turpi i tyre.