Paralajmërohet “Vetting” për pedagogët

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, në një komunikim për median zhvilluar ditën e sotme parashtroi vendimet e fundit mbi arsimin e lartë, “paktin e Universitetit” si dhe për hapjen e programeve të ciklit të tretë.
Sipas Shahinit mandatet e drejtuesve te universiteteve publike skadojnë në muajin maj dhe data e zgjedhjeve të reja për të gjitha strukturat publike do të jetë 8 Maj 2020.
Ajo theksoi se fushata zgjedhore për strukturat publike do të fillojë një muaj para ndërsa për universitetet do të fillojë dy muaj para, çka nënkupton se në këtë periudhë institucionet përkatëse duhet të kenë publikuar zyrtarisht rregulloren e tyre zgjedhore.
Risia këtë vit sipas ministres është se kandidatët do të duhet të jenë persona me integritet të lartë akademik. Kjo do të thotë se nevojitet një verifikim i hollësishëm dhe profesional i dokumenteve e gradave shkencore të disponuara nga kandidatët për pedagogë, tha ajo. Për këtë qeveria ka blerë një platformë antiplagjiaturë për verifikim dhe vërtetim të dokumenteve, gradave dhe titujve edhe në gjuhën shqipe, e cila së shpejti pritet të zgjerohet edhe për disertacionet e studentëve./SCAN