Luftëtarët shqiptarë në shtetin islamik, hetimet ndaj tyre “mision i pamundur”

Mes shumë zhvillimeve të këtij viti, historia më mbresëlënëse padyshim ka qenë kthimi nga Siria pranë familjes i vogëlushit Alvin Berisha, historia e të cilit ka qenë thuajse në faqen e mediave të gjysmës së botës.
Ai më në fund rezultoi fatlum, sepse shumë faktorë dhe aktorë u bën bashkë dhe rezultati nuk ka si të ishte më i mirë. Por, në Siri, e sidomos në kampin Al Hol ka ende fëmijë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët presin një dritë jeshile për kthimin në shtëpi.
Arjan Dyrmishi është një ekspert sigurie që i konsideron këto operacione me kosto njerëzore dhe politike për Shqipërinë. Por më shumë se kjo, për ekspertin rikthimi i personave të radikalizuar sërish në vendin e tyre është një proces i gjatë, që sipas tij kërkon kohë, bashkëpunim ndërkombëtar dhe se jo çdo rast ka të njëjtën zgjidhje apo mënyrë operacionale.
Ndërkohë, ajo që mund të thuhet nga zyrtarë të hetimit lidhet me luftëtarët shqiptare që janë reshtuar me ISIS. Ata nuk e llogarisin Kodin Penal. Kjo për disa arsye. E para, sepse shqiptarët janë larguar me dokument të rregullt; pra nuk mund të ngresh akuza për ta për shkelje të kufirit në mënyrë të paligjshme.
Së dyti, Prokuroria teorikisht mund të ngrejë akuzë për vrasje, apo krime të kryera në Shtetin Islamik, por kurrësesi nuk do të ketë vendim pozitiv, sepse nuk ka asnjë provë të nisë hetime ndaj tyre. Dhe nga pikëpamja e hetimit penal nuk mund të mbledhësh prova, sepse nuk ka kush mund ta realizojë këtë. Ligji e përcakton qartë nisjen e hetimeve. Me iniciativë, me provë në flagrancë, ose prova të siguruara në rrugë të tjera. Në këtë rast nuk është asnjë prej tyre.
Së treti, këta persona duke qenë nën ideologjinë ekstreme do të bënin kalkulime të sakta, duke qenë se forma më e lartë e propogandës së tyre është martirizimi.
Ndërkohë, ekspertë të fushës juridike shkojnë edhe përtej kësaj. Ata mendojnë se ka ardhur koha që të ketë një ashpërsim të ligjit për luftëtarët e huaj.
Sipas ekspertëve, personat që kanë si qëllim sublim martirizimin e tyre nuk e llogarisin Kodin Penal, sado i ashpër të bëhet ai. Po ashtu juristët shtrojnë për diskutim edhe një tjetër fakt. Sipas tyre kjo çështje kërkon trajtime dhe programe të veçanta që luftojnë këto ideologji si te individi dhe shoqëria.
Një tjetër pikë është edhe numri i madh i shqiptarëve në Siri dhe për këtë duhet një analizë e thellë nga institucionet shqiptare se pse ndodhi kjo.
Por a ekziston rreziku i shpëtimit të ndëshkimeve nga drejtësia shqiptare? Kjo është pyetje pa një përgjigje, çka do të thotë se gjykatat shqiptare e kishin dhe e kanë mjaft të vështirë të bëjnë interpretime apo të kapin nuanca të caktuara për të dhënë vendimet në lidhje me ata radikalë që kanë dënuar.
Nga ana tjetër duhet pranuar se në Ballkan nuk ka pasur vetëm rekrutim të njerëzve, por ka pasur dhe mbledhje armësh dhe financimesh nga Ballkani për organizmin e akteve terroriste.