Si u caktuan kufijtë e Shqipërisë

Kufijtë e një vendi janë vijë e vërtetë ose imagjinare që hiqet në sipërfaqen e tokës ose të ujit midis pikash të caktuara dhe që ndan territorin e një shteti nga ai i një shteti tjetër.
K. SH. përcaktohet me marrëveshje ndërkombëtare, në të cilat zakonisht marrin pjesë shtetet e interesuara, por ngandonjëherë edhe shtete të tjera.
Në këtë mënyrë janë përcaktuar edhe kufijtë e vendit tonë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, me vendimet e 22 marsit 1913 (për kufijtë veriorë e verilindorë) dhe të 10 gushtit 1913 (për kufijtë jugorë e juglindorë), të cilët përbëjnë një nga padrejtësitë më të mëdha të këtij shekulli në Evropë.
Përcaktimi në terren i tyre u bë me dy komisione ndërkombëtare, të cilat rezultatet e punës i fiksuan në Protokollet e Firences të viteve 1913 dhe 1926.
K. SH. i RPS të Shqipërisë tregohet me anën e shenjave të veçanta artificiale ose natyrore, të vendosura mbi sipërfaqen tokësore dhe ujore.
Vijat e hequra pingul (lart dhe poshtë) mbi vijën e kufirit në sipërfaqen tokësore e ujore përbëjnë përkatësisht kufijtë e hapësirës ajrore, të nëntokës dhe të shtratit e të nëntokës së ujërave të brendshme dhe të ujërave territoriale të RPS të Shqipërisë.
Gjatësia e K. SH të vendit tonë është 1094 km, nga të cilët 529 km është kufiri me Jugosllavinë, 271 km është kufiri me Greqinë dhe 316 km është kufiri detar.
Territori i vendit tonë është i patjetërsueshëm dhe kufijtë e tij të paprekshëm (neni 87 i Kushtetutës).