Koloneli izraelit: Populli hebre nuk e harron kurrë atë që bënë shqiptarët

Kolonel Golan Vach, drejtues i njësisë së kërkimit dhe shpëtimit i Ushtrisë Izraelite, tha për “News 24” : Dua t’i them popullit shqiptar se populli hebre nuk harron se çfarë keni bërë për ta në Holokaust. Dhe shteti i Izraelit gjithmonë i paguan borxhet.
Një mijë familje në Durrës e kanë bërë gjumin e qetë pas shumë ditëve, pasi ekipi me inxhinierë dhe ekspertë izraelitë u tha se banesat e tyre janë të sigurta.
Kolonel Golan Vach, drejtues i njësisë së kërkimit dhe shpëtimit i Ushtrisë Izraelite, tha për “News 24” se vetëm ditën e djeshme kanë inspektuar 35 godina në qytetin e Durrësit, ku 90% e tyre ishin të sigurta dhe pa probleme.
Ekipi, i përbërë nga dhjetë persona, po përqendrohet në inspektimin e ndërtesave për të zbuluar nëse struktura e tyre ka mbetur e shëndoshë pas tërmetit.