Edhe Kepi i Rodonit, me koncesion

Në kulmin e debateve për efektet e koncesioneve Partneritet Publik Privat në buxhetin e shtetit dhe në borxhin publik, ministria e Infrastrukturës hap një tjetër garë.

Sërish me “propozim të pakërkuar”.

Burime të RTV Ora kanë bërë të ditur se me propozim të pa kërkuar, parashikohet që Kepi i Rodonit të jepet me koncesion për 35 vite.

Sipas kontratës, koncesionari e përfiton kepin e famshëm kundrejt premtimit për ndërtimin e një porti për jahte në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg.

Ajo që të bën edhe më shumë përshtypje është periudha e lënë në dispozicion për të paraqitur dokumentet, mësohet se afati është për 30 ditë, ndërsa dokumentet duhet të jenë vetëm në gjuhën shqipe. Si edhe herë të tjera, gara e ndershme është thuajse e pamundur. Fitues, si edhe herët e tjera do jetë ai që ka bërë “propozimin e pakërkuar”.

Kepi i Rodonit njihet si zonë ku është shumë e fortë influenca e Tom Doshit.

Koncesionet PPP janë kritikuar nl vijimësi nga FMN dhe Banka Botërore si një rrezik për buxhetin.

Për këtë arsye në fillim të vitit u propozua përmes një projektligji në parlament që të mos lejoheshin me forma të tilla duke nisur pas datës 1 korrik.

Por pas një heshtje të gjatë, mazhoranca vendosi të shtyjë afatin për këtë masë deri në 1 tetor, çka solli edhe një përplasje tjetër me presidentin, i cili përmes një dekreti kërkoi lënien në fuqi të vendimit të parë.

Duke e futur në kontekstin e konfliktit politik, me nisjen e punimeve të parlamentit, mazhoranca deklaroi se nuk do të pranojë rekomandimet e kreut të shtetit.

Fillimisht u duk se gjithçka kishte të bënte me projektet që ishin në proces, por tashmë ministria e Infrastrukturës ka hapur garën për Marina Rodon.

E duket se për të mos humbur kohën afati i vënë në dispozicion për paraqitjen e dokumenteve është lënë data 6 shtator, duke lënë kështu mundësinë që gjithçka të mbyllet brenda përcaktimit të bërë prej ligjit të ri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT