Ambasadori i BE-së: Koha që partitë politike të gjejnë kompromis

Në bisedë për Deutsche Welle, Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca thotë se ka ardhur koha që partitë politike të gjejnë kompromisin. Ai flet gjithashtu për reformën në drejtësi si dhe për procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë.

Pjesë nga intervista 

Ka një vakuum të madh në sistemin gjyqësor. Për shembull, një Gjykatë Kushtetuese që nuk funksionon. Si mund të mbështesë Bashkimi Europian për të normalizuar situatën?

Po diskutoja me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi javën e kaluar dhe ai më tha se e ka finalizuar listën e kandidatëve për t’ia dorëzuar Presidentit dhe pastaj Parlamentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Shpresojmë se në muajt e ardhshëm Gjykata Kushtetuese do të rifillojë.

Jam plotësisht i vetëdijshëm për ndikimin që kjo periudhë ka pasur në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe ata kanë të drejtë, por në fakt 79% e tyre ende mbështesin reformën e drejtësisë dhe na tregojnë se sa e rëndësishme është ajo për qytetarët shqiptarë.

Elementi përfundimtar që dua të shoh nga sondazhi është fakti se qytetarët shqiptarë duan që ne të kujdesemi më shumë për faktorët ekonomikë dhe socialë.

Këto janë elemente që nuk janë medoemos në agjendën e diskutimit politik, por këto janë nevojat e përditshme të shqiptarëve dhe ata po i bëjnë thirrje politikës dhe rrjedhimisht edhe bashkësisë ndërkombëtare që të kujdesen edhe më shumë për anën ekonomike të jetës.

Dhe ne jemi shumë të kënaqur që programi ynë, që do ta zbatojmë dhe që po e zbatojmë tashmë, përqendrohet aq shumë tek përfshirja sociale dhe zhvillimi ekonomik.

Ka një perceptim se reforma gjyqësore po ecën shumë ngadalë dhe askush nuk po shkon në burg. Kur do t’i ndjejnë qytetarët shqiptarë efektet e kësaj reforme?

Dy Këshillat janë ngritur, 130 prokurorë dhe gjyqtarë kanë kaluar përmes procesit të vetingut, – 25 kandidatë të SPAK-ut do të zgjidhen tani, pritet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen së shpejti, 53 gjyqtarë të rinj janë zgjedhur javën e kaluar nga Shkolla e Magjistraturës.

Pra, reforma e drejtësisë është duke ecur përpara, është e pakthyeshme. Së shpejti do të kalojmë kthesën ku reforma e drejtësisë do të bëhet një fakt i përditshëm për qytetarët shqiptarë. Kjo është shpresa jonë dhe mendoj besimi ynë.

 Pavarësisht disa reformave të ndërmarra, procesi i hapjes së negociatave me BE-në ka një shtyrje për në muajin shtator. A ka ndikuar kriza politike në këtë shtyrje?

Shqipëria duhet të besojë në atë që bëri gjatë vitit të kaluar. Komisioni Evropian do të nxjerrë një raport në fund të këtij muaji dhe më pas Këshilli – ju e dini dallimin mes Komisionit dhe Këshillit – do të marrë një vendim jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për afatin kohor.

Dhe kjo varet tërësisht nga Presidenca Rumune e Këshillit. Kam dëgjuar ashtu si dhe ju, se ka disa shtete anëtare që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar raport-progresin e Komisionit Evropian duke pasur parasysh se ka vetëm tri javë kohë ndërmjet miratimit të raportit dhe vendimit të Këshillit.

Por kjo ende nuk është vendosur, ndaj derisa të vendoset i ftoj autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të përqendrohen në këtë afat.

Nëse ky afat do të shtyhet për më vonë këtë vit, shpresoj vërtet që qeveria shqiptare ta përdorë mirë këtë kohë. Dhe në muajt e ardhshëm SPAK-u do të funksionojë, Gjykata Kushtetuese do të rikthehet dhe ndoshta do të kemi edhe një zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR mbi ligjin zgjedhor.

Z.Ambasador, cili është mesazhi juaj për qytetarët shqiptarë dhe partitë politike shqiptare, në këtë situatë që po kalon Shqipëria?

Sigurisht që kemi luajtur një rol në këtë vend dhe ne vazhdojmë të luajmë një rol të rëndësishëm.

Siç thashë më parë, ne kemi një mandat të fortë nga qytetarët shqiptarë, 93% prej të cilëve duan të hyjnë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu edhe një përgjegjësi të fortë.

Dhe tani është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis. Kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat.

Gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT