Konflikti për pagat e magjistratëve, Administrata e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës hyn në bojkot, bllokohen shërbimet! (VIDEO)

Në një lëvizje të paprecedentë, administrata e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës ka pezulluar punën dhe ka hyrë në bojkot të përgjithshëm sot (8 shtator), duke bllokuar shërbimet dhe proceset gjyqësore në shenjë revolte për çështjen e pagave të bllokuara.

Bojkoti vjen në vazhdën e reagimeve për ngërçin e pagave të bllokuara të muajit gusht, edhe pse nuk ka ende një njoftim zyrtar.

Ky reagim vjen si pasojë e përplasjeve të vazhdueshme me ekzekutivin për zbatimin e vendimeve mbi pagat dhe trajtimin financiar.

Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, administrata ka njoftuar kryetarin e gjykatës, ndërsa punonjësve u është bërë me dije se një qëndrim pritet pas mbledhjes së kryetarëve të gjykatave, që zhvillohet sot në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë, për situatën e pagave do të zhvillohet një takim edhe në sistemin e prokurorisë.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka thirrur drejtuesit e prokurorive të rretheve, Shoqatën e Prokurorëve dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Takimi do të zhvillohet pa praninë e mediave.

Situata u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda 31 korrikut formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.

Në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat me rritjen e re, duke argumentuar se përcaktimi i formulës është kompetencë e Kuvendit.

Për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “dera e Thesarit të Shtetit” nuk mund të hapet me forcë, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paralajmëruar se ngërçi pritet të zgjidhet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT