Shqipëria në BE, sa do të paguajë dhe sa do të përfitojë? Në buxhetin e Unionit do të derdhet një kontribut, por përfitimet pritet të jenë më të larta

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare nuk kanë vetëm një marrëdhënie merr, por edhe jep. Anëtarësimi do t’i japë mundësinë Shqipërisë që të përfitojë nga fondet e BE, por njëkohësisht vendi duhet të derdhë një kontribut të caktuar në buxhetin e Bashkimit Evropian.
Për këtë arsye, Ministria e Financave ka hartuar një projektligj që përcakton konkretisht procedurat se si do të përllogaritet ky kontribut.
Kontributi monetar i Shqipërisë në BE duhet të jetë sa 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Për të garantuar mbledhjen e parave për kontributin do të ngrihet Komiteti Kombëtar për Kontributin Kombëtar në BE që kryesohet nga Ministri i Financave.
Paratë për kontributin do të sigurohen nga burimet tradicionale vetjake të Shqipërisë (që përfshijnë të ardhurat që rrjedhin nga detyrimet doganore të Tarifës së Përbashkët Doganore dhe nga detyrimet e tjera të vendosura ose që do të vendosen nga institucionet e Bashkimit Evropian për tregtinë me vendet e treta, si dhe nga detyrimet doganore për produktet që rregulloheshin nga Traktati për themelimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut), do të sigurohen nga burimi i bazuar në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), burimin e bazuar në të ardhurat kombëtare bruto, burimin e bazuar në mbetjet e paketimeve plastike që nuk riciklohen.
Administrata Doganore, Administrata Tatimore, Instituti i Statistikave dhe Ministria e Mjedisit duhet të prezantojnë rregullisht raporte mbi këto burime.
Interesat e vonesës, penalitetet dhe detyrimet e tjera financiare që lindin nga mospërmbushja në afat e detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian evidentohen dhe raportohen veçmas.
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të dhënat, dokumentacioni dhe proceset që lidhen me administrimin e Burimeve të Veta i nënshtrohen verifikimit dhe kontrollit nga institucionet kompetente të Bashkimit Evropian.
Shqipëria mund të jetë një prej vendeve që do të përfitojë më shumë nga fondet evropiane sesa kontribuon në buxhetin e Unionit, të paktën në fazat e para të anëtarësimit. Përfitimet pritet të jenë shumë më të mëdha se kontributi.